Në mbledhjen e kësaj të mërkure të Qeverisë janë përcaktuar kriteret e reja, për pranimet në Universitete. Një nga kriteret kryesore ka të bëjë me notën mesatare, ku për ciklin e parë të studimeve duhet minimumi 6.5. Ndërkohë në programet e studimit të gjuhëve të huaja, minimalisht duhet notë mesatare 7.
Në programet e studimit të ciklit të parë “Bachelor”, të cilat japin akses në programet e ciklit të dytë “Master” në fushën e mësuesisë, kërkohet notë mesatare 7.5. Përjashtohen nga detyrimi i plotësimit të kriterit të notës mesatare kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare, me karakter profesional, kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve në fushën e artit dhe të sportit, si dhe kandidatët me origjinë shqiptare nga Republika e Kosovës, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Presheva, Medvegja dhe Bujanovci.
VENDIM
PËR PËRCAKTIMIN E KRITERIT TË NOTËS MESATARE PËR PRANIMIN E KANDIDATËVE NË PROGRAMET E STUDIMEVE TË CIKLIT TË PARË DHE NË PROGRAMET E INTEGRUARA TË STUDIMEVE TË CIKLIT TË DYTË OSE TRANSFERIMIN E STUDIMEVE NË VITET E NDËRMJETME TË KËTYRE PROGRAMEVE, NË INSTITUCIONET E ARSIMIT TË LARTË, PËR VITIN AKADEMIK 2020–2021 DHE 2021-2022 E NË VIJIM
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 74, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
Kanë të drejtë të aplikojnë për t’u pranuar në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2020-2021, përkatësisht, si më poshtë: a) Në programet e studimeve të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, kandidatët, që kanë përfunduar me sukses arsimin e mesëm të lartë minimalisht me notë mesatare 6.5 (gjashtë pikë pesë); b) Në programet e studimit të gjuhëve të huaja, të përcaktuara në shtojcën nr.1, të këtij vendimi, minimalisht me notë mesatare 7 (shtatë); c) Në programet e studimit të ciklit të parë “Bachelor”, të cilat japin akses në programet e ciklit të dytë “Master” në fushën e mësuesisë, të përcaktuara në shtojcën nr.2, të këtij vendimi, minimalisht me notë mesatare 7.5 (shtatë pikë pesë).
Kanë të drejtë të aplikojnë për t’u pranuar në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2021-2022 dhe në vijim, përkatësisht, si më poshtë: a) Në programet e studimeve të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, kandidatët që kanë përfunduar me sukses arsimin e mesëm të lartë minimalisht me notë mesatare 7 (shtatë); b) Në programet e studimit të ciklit të parë “Bachelor”, të cilat japin akses në programet e ciklit të dytë “Master” në fushën e mësuesisë, të përcaktuara në shtojcën nr.2, të këtij vendimi, minimalisht me notë mesatare 8 (tetë).
Përjashtohen nga detyrimi i plotësimit të kriterit të notës mesatare kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare, me karakter profesional, kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve në fushën e artit dhe të sportit, si dhe kandidatët me origjinë shqiptare nga Republika e Kosovës, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Presheva, Medvegja dhe Bujanovci.
Në rastet e transferimit të studimeve nga brenda apo jashtë vendit, në vitet e ndërmjetme të programeve të studimit, brenda të njëjtit cikël, studentët duhet të plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar me vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave të vitit akademik që studenti është pranuar në institucionin e arsimit të lartë, duke filluar nga viti akademik 2016–2017 dhe në vijim. Nota mesatare për pranimin në institucionet e arsimit të lartë përllogaritet si mesatare e thjeshtë e treguesve, si më poshtë vijon: a) mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë; b) mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore.
Institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë dhe institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, janë përgjegjëse për përllogaritjen e notës mesatare dhe dërgimin e këtyre të dhënave në Qendrën e Shërbimeve Arsimore. Procedurat për njëvlershmërinë e dokumenteve të paraqitura nga shtetasit shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë jashtë vendit, si dhe përllogaritja e notës mesatare për këta kandidatë të kryhen në Qendrën e Shërbimeve Arsimore, sipas përcaktimeve të pikës 5, të këtij vendimi.
Në rastet kur nuk aplikohen provimet e Maturës Shtetërore, komisioni përkatës përcakton mënyrën e përllogaritjes së notës mesatare. Komisioni përkatës dërgon të dhënat tek institucioni arsimor vendor përkatës, përgjegjës për arsimin parauniversitar. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Qendra e Shërbimeve Arsimore, institucionet e arsimit të mesëm të lartë, institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, dhe institucionet e arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi./b.b/fjala