Italia starton ekonominë. Leje qëndrimi për emigrantët e parregullt, përfitojnë shqiptarët

Qeveria italiane ka miratuar dekretin “Sanatoria” për të rimëkëmbur ekonominë vendase. Nga kjo paketë përfitojnë edhe emigrantët me dokumente të parregullta, mes tyre mijëra shqiptarë, për të siguruar leje qëndrimi punësimi 6-mujore. Në një intervistë për gazetën “Fjala” drejtuesja e Patronatit INAS Albania, Beskida Aliaj, kush refuzohet dhe cilët përfitojnë

Nga Ina Allkanjari. Pandemia COVID-19 goditi botën duke shkaktuar probleme të shumta shëndetësore dhe ekonomike. Një ndër vendet më të prekura, ku qytetarët luftuan çdo ditë me “armikun e padukshëm” dhe u përballën me shumë humbje jete, është Italia. Në këtë fazë të dytë të bashkëjetesës me virusin, shteti fqinj ka menduar për emigrantët që punojnë ilegalisht, duke u mundësuar leje qëndrimi të përkohshme.

Qeveria italiane në këtë kohë pandemie ka miratuar dekretin “Sanatoria” (Rimëkëmbja) duke u mundësuar emigrantëve që punojnë në mënyrë të parregullt në disa sektorë të përcaktuar në ligjin e ri, leje qëndrimi dhe shërbim shëndetësor falas.  Në një intervistë për gazetën “Fjala”, drejtuesja e Patronatit INAS Albania, Beskida Aliaj, tregon se aktualisht në Itali ka rreth 600 mijë emigrantë që pritet të përfitojnë nga ky ligj.

“Për të siguruar  mbrojtjen e  shëndetit individual dhe kolektiv, në përputhje me emergjencën shëndetësore të jashtëzakonshme në Itali, si dhe për të inkurajuar legalizimin e marrëdhënieve të parregullta të punës, punëdhënësit në shtetin fqinj mund të paraqesin  një kërkesë për të lidhur një kontratë pune me shtetas të huaj, të pranishëm në territorin kombëtar”, tregon drejtuesja e INAS Albania. Aliaj shpjegon për gazetën “Fjala” se cilët janë sektorët e punësimit që përfitojnë nga ligji i ri dhe procedurat që emigrantët shqiptarë duhet të ndjekin për të realizuar aplikimin.

Së fundmi Italia ka miratuar dhe publikuar në fletoren zyrtare dekretin ‘Rimëkëmbja’ i cili konsiston në pajisjen me leje qëndrimi të emgrantëve që punojnë ilegalisht në vendin fqinj. Çfarë parashikohet konkretisht?

Sipas vendimit të botuar nga Republica.it, të dhënat për legalizimin e të huajve përmblidhen të gjitha në një nen me 20 paragrafë të dekretit “Rimëkëmbja”. Në vendim shpjegohet se të gjithë punëdhënësit që kanë punësuar në të zezë shtetas të huaj me qëndrim të parregullt, mund të kërkojnë legalizimin e marrëdhënies së punës dhe pajisjen me lejeqëndrimi të të huajve kundrejt lidhjes së një kontrate të varur pune.

Aktualisht në Itali ka rreth 600 mijë emigrantë që pritet të përfitojnë nga ky ligj. Do të mund të përfitojnë nga kjo sanatore të gjithë shtetasit e huaj të punësuar në të zezë ose që mund të punësohen në një nga sektorët e përcaktuar, prezenca e të cilëve në territorin italian rezulton para datës 08.03.2020 dhe vërtetohet nëpërmjet identifikimit nga forcat e rendit, ose nëpërmjet deklaratës së prezencës në territorin italian, sipas ligjit 68/2007. Përfshihen edhe shtetasit e huaj që kanë një lejeqëndrimi të skaduar nga data 31.10.2019 të parinovuar ose të pakonvertuar, që janë prezentë në territorin italian nga data 08.03.2020 e në vijim dhe që kanë punuar përpara datës 31.10.2019 në sektorët ekonomikë që përfitojnë nga ky legalizim.

Cilët sektorë punësimi përfitojnë nga ky legalizim? Masa e legalizimit të qeverisë do të aplikohet për punonjësit në sektorët: bujqësi, mbarështim blegtori, peshkim e akuakulturë, asistencë për persona me sëmundje ose aftësi të kufizuara dhe punë shtëpiake (kujdestarët e pleqve, babysitter dhe sanitarë).

Si mund të bëhet aplikimi? Ligji ka parashikuar që punëdhënësi, para se të nisë kërkesën e legalizimit, të paguajë një kontribut prej 500 eurosh për çdo punonjës që legalizohet, ndërsa kostoja prej 130 eurosh për procedurën mbetet përgjegjësi e palës së interesuar. Ky kontribut mund të derdhet deri ditën e fundit të vlefshme për paraqitjen e kërkesës së legalizimit.

Gjithashtu, duhet të derdhin taksat e kontributet (kontributet shoqërore INPS, taksat krahinore dhe komunale etj.) të përllogaritura mbi rrogat mujore të punonjësit, për një periudhë minimale gjashtëmujore, përcaktimi i të cilave dhe mënyra përkatëse e blerjes përcaktohen me dekret nga  Ministria e Punës dhe Politikave Sociale në marrëveshje me Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave, me Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Politikave Bujqësore dhe Pyjore. Kërkesa tregon kohëzgjatjen e kontratës së punës dhe shpërblimin e rënë dakord, jo më pak se ajo e parashikuar në marrëveshjen kolektive të punës së referimit të përcaktuar nga sindikatat dhe organizatat e punëdhënësve. Kërkesa duhet te paraqitet në:

a) Institutin Kombëtar i Sigurimeve Shoqërore (INPS) për punëtorët italianë ose për shtetasit e një shteti anëtar të Bashkimit Evropian; b) Sportelin Unik të Emigracionit; c) Kuesturën kompetente për lëshimin e lejeve të qëndrimit.

Sporteli Unik i Emigracionit, pasi ka kontrolluar deklaratën dhe ka marrë mendimin e kuesturës  për mungesën e arsyeve që pengojnë hyrjen në procedurë ose lëshimin e lejes së qëndrimit, si dhe ka marrë mendimin e inspektorit kompetent të Punës në lidhje me aftësinë ekonomike të punëdhënësit dhe përshtatshmërinë e kushteve të aplikuara të punës, thërret palët për përcaktimin e kontratës së qëndrimit, për komunikimin e detyrueshëm të punësimit dhe plotësimin e kërkesës së lejes së qëndrimit për punë.

Mosparaqitja e palëve pa arsye të justifikueshme do të rezultojë në arkivimin e procedurës. Procedura do të mbyllet me thirrjen e punëdhënësit dhe të punonjësit në Sportelin Unik për Emigracionin (gjithnjë nëse Kuestura dhe Drejtoria Territoriale e Punës  kanë dhënë mendim pozitiv), që do të verifikojë të gjithë dokumentacionin. Pranë Sportelit Unik punëdhënësi dhe punonjësi do të nënshkruajnë kontratën e qëndrimit dhe do t’u komunikohet punësimi sipas INPS-it dhe Qendrës për Punësimin.

Punonjësit do t’i lëshohet modeli i kërkesës së lejes së qëndrimit për punë, që ai duhet t’i nisë Kuesturës kompetente për territorin përmes një zyre postare të autorizuar.  Të gjithë ata që do të paraqesin kërkesë – natyrisht që përmbushin të gjitha kriteret e parashikuara nga ligji – do të mund të legalizojnë marrëdhënien e punës dhe të huajt e punësuar deri tani në të zezë do të mund të marrin lejen e qëndrimit. Për çdo pyetje dhe për të bërë kerkesën mund t’u drejtoheni zyrave të Patronato Inas Cisl në qytetin ku ndodheni aktualisht në Itali. Këto zyra do t’ju vijnë në ndihmë për kryerjen e procedurave të sakta.

Kur janë afatet e aplikimit? Kërkesa për lëshimin e lejes së qëndrimit të përkohshëm paraqitet nga qytetari i huaj, nga 1 qershori deri më 15 korrik 2020, së bashku me dokumentacionin në posedim, që vërtetojnë punën e kryer në sektorët e përmendur e që duhet të jetë e verifikueshme nga Inspektorati Kombëtar i Punës, tek i cili drejtohet kërkesa. Pas paraqitjes së kërkesës, dorëzohet një certifikatë që i lejon palës së interesuar të qëndrojë në mënyrë të ligjshme në territorin e shtetit deri në çdo komunikim nga Autoriteti i Sigurisë Publike, të kryejë punë vartëse, ekskluzivisht në sektorët e veprimtarisë së përmendur, si dhe të paraqesë çdo kërkesë për konvertim  të lejes së qëndrimit të përkohshëm në leje qëndrimi për arsye pune. Është gjithashtu e mundur që të regjistroheni menjëherë në regjistër, duke u treguar zyrave të punës certifikatën e lëshuar nga policia.

Kush nuk përfiton nga dekreti? Nuk përfitojnë nga legalizimi të huajt që kanë marrë dekret dëbimi/sinjalizimi ose që janë dënuar për vepra penale të parashikuara në dekret, si dhe nuk do të pranohen kërkesat e punëdhënësve të dënuar më parë për favorizim emigracioni klandestin ose shfrytëzim të punës. Natyrisht, do të rrëzohen të gjitha kërkesat që deklarojnë fakte të rreme, për të cilat autorët do të ndiqen penalisht. Dua të kujtoj që në sanatoria-n e vitit 2012 mbetën jashtë kësaj sanatoria-je (apo legalizimi) të gjithë punonjësit e huaj që janë titullarë të një lejeqëndrimi që nuk u lejon të punojnë e që nuk mund të konvertohet lehtë në një leje për punë. Kjo do të thotë që, për shembull, kush punon në të zezë, por ka një leje qëndrimi për punë stinore, për kura mjekësore, për studime, apo për pritje të njohjes së statusit të azilit politik, nuk mund të përfitojë nga kjo sanatoria e të fusë në xhep lejeqëndrimin për punë.

Do të mbeten po ashtu jashtë legalizimit të gjithë ata që kanë në dorë kuponin që vërteton paraqitjen e kërkesës për lejeqëndrimin e parë apo për përtëritjen e tij. Me pak fjalë, vetëm kush nuk e ka pasur asnjëherë lejen e qëndrimit apo nuk ka kërkuar përtëritjen brenda kohës së duhur, mund të përfitojë nga legalizimi e të marrë lejen e qëndrimit për punë (natyrisht nëse përmbush të gjitha kriteret e tjera). Nuk mund të shpresojnë te kjo sanatoria për të marrë leje qëndrimi për punë punonjësit e huaj që, edhe pse janë të punësuar në mënyrë të parregullt, gjithsesi e kanë një leje qëndrimi si ajo për kura mjekësore, apo për studime, për punë stinore, për pritje azili politik që nuk u lejon të punojnë. Pra, nuk pranohen të huajt në këto raste:

a) kundër të cilit është lëshuar një urdhër dëbimi;  b) i cili refuzohet të futet në territorin e shtetit, në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare ose konventave në fuqi për Italinë;

c) të cilët janë të dënuar për krime kundër lirisë individuale, ose për krime të lidhura me drogën, lehtësimin e emigracionit të paligjshëm në Itali dhe emigrimin e paligjshëm nga Italia në shtete të tjera, ose për krime që synojnë rekrutimin e njerëzve për prostitucion, ose shfrytëzimi i prostitucionit ose i të miturve për t’u punësuar në veprimtari të paligjshme. /FJALA/