Wednesday , April 30 2025

Ishte titullar i padiskutueshëm në tri faza, Elbasani ndan rrugët me lojtarin. Emri/Foto

Elbasani nuk arriti që të ishte dot pjesë e katërshes, por gjithsesi vendi i pestë duket se nuk e prish gjithë atë që prodhuan këtë edicion. Tani, pas mbylljes së kampionatit, ka nisur puna për përgatitjen e sezonit të ri, ku normalisht pritet të ketë shumë hyrje – dalje, në mënyrë që sezonin e ardhshëm të jenë një ekip më kompetitiv.

Duke mos qenë pjesë e kupave të Europës, verdheblutë kanë luksin të mos nxitohen dhe të shohin me kujdes rreth profileve të lojtarëve që duan të afrojnë në skuadër. Fillimisht po punohet me lojtarët që nuk do të jenë pjesë e ekipit, ku disave u mbaron kontrata dhe nuk do të rinovojnë dhe me të tjerët edhe mund të ketë prishje me konsensus.

IKËN ABALORA – I pari që ka ndarë rrugët me Elbasanin është portieri Razak Abalora. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se mes palëve është mbyllur para kohe marrëveshja dhe portieri nuk do të jetë më pjesë e verdhebluve. Burimet pohojnë se mbyllja zyrtare e marrëveshjes ka ardhur në javën e fundit para ndeshjes me Partizanin, sepse mesa duket palët e patën ndarë mendjen të mos vazhdonin më me njëra – tjetrën, edhe nëse Elbasani do të ishte pjesë e kupave të Europës.

Kontrata e tij ishte deri në fund të muajit qershor, por gjithsesi është mbyllur dy muaj para dhe me konsensus mes tyre, duke nënkuptuar se nuk kanë detyrime ndaj njëri-tjetrit. Në fakt, gjatë mesit të sezonit kur performancat e Abalorës ishin mbresëlënëse, u dhanë sinjale se mund të kishte një zgjatje të marrëveshjes, por që u la për një situatë të mëvonshme, e cila nuk erdhi kurrë.

PARAQITJET – Abalora u paraqit me dy “fytyra” këtë edicion me verdheblutë. Në pjesën e parë të kampionatit ishte pa dyshim një ndër lojtarët më të rëndësishëm të Elbasanit me pritjet dje karizmën e tij në portë, duke fituar edhe dashurinë e publikut. Mirëpo, performanca e tij erdhi në rënie gjatë javëve të fundit, ku shpesh herë bënte edhe gabime në katërkëndësh që i kushtuan jo pak skuadrës.

Gjithsesi, deri para ndeshjes me Laçin në fazën e fundit, ai ishte një titullar i padiskutueshëm në portë, ku një thyerje e disiplinës për një vonesë në grumbullim, solli pezullimin e tij për atë ndeshje. Më pas, gjatë javës stërvitore, ai theu këmbën në stërvitje dhe mbylli përfundimisht sezonin me verdheblutë. Gjatë kësaj periudhe ai vazhdoi rikuperimin më Elbasan, deri kur edhe mbylli zyrtarisht marrëveshjen me klubin. Me verdheblutë ai luajti në total 27 ndeshje me 2430 minuta në këmbët e tij.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL