Friday , May 16 2025

Ish-trajneri Lleshanaku analizon paraqitjen e ekipit verdheblu: Elbasani mori maksimumin, sezonin tjetër është protagonist

Tani të gjithë i kanë sytë tek Elbasani i vitit të ardhshëm. Me një eksperiencë tanimë në Superiore, pritshmëritë për këtë sezon janë më të mëdha.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-trajneri Shkëlqim Lleshanaku vlerëson atë që bënë verdheblutë në debutim, ndërsa ka besim tek ndërtimi i një skuadre pretendente vitin e ardhshëm. Ai e sheh Superioren më të fortë këtë edicion, për shkak të skuadrave që janë ngjitur, ndërsa ka një këshillë për lojtarët që do të afrohen në Elbasan: “Ta dinë se po luajnë për një ekip që ka një mbështetje të zjarrtë në shkallët e stadiumit”.

Si ishte viti i parë i Elbasanit në Superiore?

Mund të them që viti i parë në Superiore ishte shumë pozitiv. E kam thënë edhe në një intervistë para ndeshjes me Partizanit që, po të fitonim edhe atë përballje, sezoni do të ishte për notën 10.

A ishte ky maksimumi i skuadrës apo edhe mund të bëhej më mirë?

Besoj se ishte maksimumi. Duhet të kuptojmë që nuk është pak për një debutuese në Superiore që lufton për një vend në katërshe.

Çfarë prisni nga viti i ardhshëm?

Nga viti që vjen, pres që Elbasani të jetë protagonist në Kupë dhe kampionat. Gjë e mirë, sipas meje, ishte konfirmimi i trajnerit dhe stafit të tij, të cilët bënë shumë mirë sezonin që u mbyll. Ai e di çfarë dhe si duhet ta rregullojë. I uroj suksese dhe punë të mbarë.

E prisni një sezon më të vështirë, duke parë edhe ekipet që po ngjiten?

Mendoj se ky sezon do të jetë shumë i vështirë. Do të jetë një futboll më cilësor dhe këtë po e tregojnë ekipet që kanë filluar merkaton që të nesërmen e fitimit të titullit. Ekipet që u ngjitën, kanë mjete dhe mundësi financiare të mëdha. Kjo do të thotë që do vijnë lojtarë cilësorë. Imagjino kur përflitet për emra kalibri, si: Sadiku, Roshi etj.

Keni një këshillë për skuadrën gjatë merkatos dhe sezonin që i pret?

Një këshillë është pak e vështirë të them. Lojtarët që duhet të vijnë, të jenë të gatshëm të sakrifikojnë dhe japin maksimumin për skuadrën. Nuk duhet të harrojnë që bëjnë pjesë në një klub që ka tifozët më të shumtë në numër dhe më të zjarrtë në shkallët e stadiumit.

V. MEMA-PANORAMASPORT.AL