Sunday , April 13 2025

Ish-trajneri komenton Elbasanin, Lleshanaku: E quaj sezon të shkëlqyer nëse…

Elbasani bëri debutimin këtë vit në Superiore dhe si sezon i parë mes më të mirave nuk është asnjëherë e lehtë për të qenë konkurrues. Historia ka treguar se ekipet që ngjiten e kanë shumë të vështirë të mbijetojnë dhe shumë pak ia dalin.

Verdheblutë e hoqën këtë “merak” dhe për asnjë moment nuk kanë qenë të rrezikuar për të rënë. Sa i përket paraqitjes që elbasanasit kanë bërë në elitë këtë sezon, ish – trajneri, Shkëlqim Lleshanaku, e cilëson si dinjitoze. Ja si shprehet ai në prononcimin e dhënë enkas për “Panorama Sport”.

“Unë do ta konsideroja si një paraqitje dinjitoze dhe përtej pritshmërive. E them këtë, duke u nisur nga fakti që luan për herë të parë në Superiore dhe e dimë që nuk ka qenë e lehtë për asnjë ekip. Nëse më pas do të sigurojnë edhe katërshen, do të ishte një sezon i shkëlqyeshëm”, u shpreh fillimisht ish-tekniku i verdhebluve.

“FINAL 4” – Prej javësh dhe sidomos tani së fundmi, në Elbasan të gjitha shpresat janë për të arritur në “Final 4”. Lleshanaku flet rreth këtij objektivi dhe mundësisë që elbasanasit t’ia arrijnë, edhe pse, sipas tij, nuk varet më vetëm nga ata.

“Të jem i sinqertë, mundësitë janë reale, sepse kanë edhe një ndeshje direkte me Partizanin në fund. Por, gjithsesi nuk varet vetëm nga Elbasani kjo gjë, pasi duhet të gabojë Partizani. Megjithatë, ne duhet të ruajmë vazhdimësinë për të shpresuar te gabimet që mund të bëjë kundërshtari. Ekipi i ka elementët, optimizmi është në maksimum dhe mbështetja nga presidenti nuk i ka munguar kurrë. Tani të shpresojmë dhe unë kam besim se mund t’ia dalin”, vijoi më tej prononcimin e tij Shkëlqim Lleshanaku.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL