Thursday , July 10 2025

Ish-trajner Lleshanaku: Elbasani favorit, kundërshtarë ka Egnatian e Dinamon

Ish-trajneri i Elbasanit, Shkëlqim Lleshanaku, ka komentuar situatën aktuale të ekipit verdheblu dhe përgatitjet për sezonin e ri, duke theksuar se skuadra ka bërë hapa përpara në krahasim me një vit më parë. Në bisedën e tij enkas për “Panorama Sport”, ai thekson se përpara është një klub që po punon me “laps në dorë”.

“Elbasani i sivjetshëm është më i konsoliduar. Është rritur me një vit. Tani nuk është më një ekip debutues. Të gjithë janë më të angazhuar, me më shumë eksperiencë se një vit më parë. Nëse vjet i faleshin disa gabime, tani kërkohet perfeksion. Shikoj një ekip që punon në heshtje dhe me laps në dorë. Më pëlqen”, u shpreh fillimisht Shkëlqim Lleshanaku.

MERKATO – Ai vlerëson qëndrueshmërinë në pankinë si një tjetër pikë të fortë të klubit për sezonin e ri. Lleshanaku beson se fakti që Elbasani ka mbajtur të njëjtin trajner është një tregues i qartë se puna ka qenë e mirë dhe se skuadra ka bazën për të ecur përpara. “Në radhë të parë, konfirmimi i trajnerit tregon se këtë vit Elbasani nuk do ta fillojë nga zero. Vjet skuadra arriti rezultate shumë të mira. Domethënë, skuadra jep. Prandaj dhe afrime të shumta në skuadër nuk nevojiten. Ato të deritanishmet (portieri) ishin të domosdoshme”, pohoi ai. Sipas tij, afrimet e reja janë të mirëpritura për sa kohë shtojnë cilësinë dhe konkurrencën në grup.

Një skuadër që kërkon të rritet, duhet të forcohet me mendje të ftohtë dhe jo thjesht në bazë emrash. “Afrimet cilësore janë të pranueshme. Shtojnë konkurrencën dhe rrisin cilësinë. Besoj se në të gjitha repartet nga një futbollist do vijë”, vijoi më tej ish-tekniku elbasanas. Lleshanaku ka edhe një analizë për merkaton e përgjithshme në futbollin shqiptar, ku vëren një tendencë më të matur dhe profesionale. Ai beson se kjo qasje do të sjellë një kampionat më cilësor dhe më të fortë.

“Ky fillim sezoni kaq i heshtur pothuaj për të gjithë ekipet tregon se të gjithë po planifikojnë blerje të arsyetueshme dhe jo më duke u nisur nga emrat. Mendoj se do jetë më i fortë”, theksoi Lleshanaku.

PRITSHMËRITË – Në fund, Lleshanaku nuk ngurron të shpallë Elbasanin si pretendent për kreun, duke e vendosur skuadrën e zemrës në majë të listës së pretendentëve për sezonin e ri. Megjithatë, ai nuk përjashton as rivalët tradicionalë dhe ndonjë surprizë të mundshme gjatë rrugës. “Favorit kryesor do të vendos ekipin tim të zemrës, Elbasanin. Por, do të jetë dhe Egnatia, Dinamo dhe ndonjë i pamenduar që mund të dalë rrugës si Teuta dhe Flamurtari”, vijoi tekniku.

Lleshanaku ka ambicie të qarta për Elbasanin në sezonin që vjen dhe pret që skuadra të bëjë hapin e madh në elitë. “Elbasani vjet vetëm për një ndeshje nuk u rendit i katërti. Sivjet mendoj se do jetë në katërshe dhe e shoh finalist të Kupës. Kapacitetet manaxheriale (financiare dhe sportive) i ka të shëndosha. Duhet pak më shumë kujdes dhe fat në ndeshje të veçanta. Padyshim që ne kemi mbështetjen e një tifozerie të zjarrtë dhe të shumtë”, mbylli prononcimin e tij për gazetën Shkëlqim Lleshanaku.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL