Friday , July 4 2025

Ish-portieri për situatën e Elbasanit, Muharrem Dosti: Objektivi është “Final 4”

Pas një sezoni rikthi mi dinjitoz në elitën e futbollit shqiptar, Elbasani shfaq ambicie edhe më të mëdha për edicionin e ri. Klubi ka vendosur që objektivi kryesor të jetë një vend në zonën europiane, duke shfrytëzuar stabilitetin e krijuar, përvojën e fituar dhe bazën e konsoliduar të skuadrës.

Kjo dëshirë është artikuluar qartë edhe nga drejtuesit, të cilët janë të vendosur ta çojnë ekipin një hap më tej në rrugëtimin e tij. Me afrimet e para të merkatos dhe një plan përgatitor të strukturuar në dy faza, verdheblutë po hedhin hapat e parë drejt një sezoni, ku nuk mjaftohen më me mbijetesën apo një vend të sigurt në mes të tabelës. Europa është fjala kyçe në kampin elbasanas dhe çdo lëvizje po bëhet me këtë synim në mendje.

DOSTI – Ish-portieri i njohur dhe njëkohësisht ish-trajneri i Elbasanit, Muharrem Dosti, ka folur enkas për “Panorama Sport” lidhur me situatën aktuale të klubit verdheblu në këtë fazë të merkatos së verës. Ai ka përgëzuar qetësinë dhe maturinë që po tregojnë drejtuesit në këto javë të para, duke mos u ndikuar nga presioni i emrave apo zhurmës që shpesh krijon tregu i transferimeve. “Qetësia që po tregojnë drejtuesit e Elbasanit është për t’u vlerësuar. Në këto momente është shumë e rëndësishme të ruhet ekuilibri dhe të mos shkohet pas emrave për efekt mediatik apo entuziazmi kalimtar.Ky është tregues i një maturie dhe qasje serioze që të jep siguri”, është shprehur fillimisht Dosti. Megjithatë, ai shton se pavarësisht kësaj qasjeje të kujdesshme, ndërhyrjet në merkato nuk mund të shmangen. Sipas tij, ato duhet të jenë të menduara mirë dhe të fokusuara në repartet që kanë pësuar lëvizje, duke ruajtur kohezionin e grupit. “Patjetër që duhet të ketë ndërhyrje në repartet ku ka pasur largime. Merkatoja duhet bërë me pikatore, me zgjedhje të goditura dhe pa e prishur frymën e grupit. Elbasani ka krijuar një bazë solide, ndaj ndërhyrjet duhet të jenë cilësore dhe jo sasiore”, theksoi Dosti, duke dhënë një mesazh qartësisht teknik dhe realist për të ardhmen e klubit.

OBJEKTIVI – Dosti ka komentuar gjithashtu edhe mbi objektivat që duhet të ketë skuadra në sezonin e ri. Sipas tij, verdheblutë duhet ta shohin pjesëmarrjen në “Top 4” si një objektiv të arritshëm, veçanërisht pas eksperiencës së fituar në sezonin e kaluar dhe përmirësimeve graduale që ka pësuar grupi. “Për mua, katërshja është sërish objektiv real. Ky ekip nuk është më një debutues i sapoardhur nga Kategoria e Parë. Ka kaluar një vit adaptimi në Superiore dhe kjo është shumë e rëndësishme. Tani kanë më shumë eksperiencë, më shumë pjekuri dhe një njohje më të mirë të kampionatit”, u shpreh Dosti.

Ai theksoi se Elbasani ka krijuar bazat e një grupi të qëndrueshëm dhe se përmirësimet që duhen bërë këtë verë nuk duhet të ndryshojnë filozofinë e ndërtuar. Sipas Dostit, vendosmëria dhe organizimi që ka treguar klubi janë sinjale pozitive për një sezon edhe më konkurrues. “Nëse vazhdohet me këtë qetësi dhe përzgjedhje të kujdesshme, Elbasani mund të jetë sërish në garë për zonën europiane. Kjo do të kërkojë punë, mençuri dhe mbështetje, por nuk është aspak jashtë realitetit”, u shpreh ai.

KONKURENCA – Megjithatë, Dosti nuk i fsheh vështirësitë që do të sjellë ky sezon, duke nënvizuar se konkurrenca do të jetë edhe më e madhe. “Këtë vit pritet një kampionat shumë më i ashpër. Rikthehet Flamurtari, një klub me histori dhe tifozëri të madhe, që nuk vjen për të bërë numër. Ndërkohë, edhe Vora ka shfaqur ambicie të qarta dhe do jetë një surprizë potenciale. Kjo, së bashku me ekipet tradicionale që tashmë janë të konsoliduara, e bën garën më të fortë se kurrë”, mbylli prononcimin e tij ishtrajneri i Elbasanit.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL