Elvis Kotorri është ndër të parët që iu bashkua skuadrës së Elbasanit që në Kategorinë e Tretë në rolin e trajnerit të portierëve, pozicion që e mban edhe sot në klub.kotorriNë intervistën e dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai flet për sezonin që lanë pas dhe atë që i pret, ku sigurisht ka besim se në fund do të arrijnë objektivat që ka klubi. Ndalet edhe te performanca e portierëve në fushën e lojë, ndërsa ai që mund të vijë duhet të jetë patjetër shumë cilësor. Në fund, ai është i bindur se nuk do t’i zhgënjejnë tifozët, të cilët janë forca e tyre më e madhe dhe i kanë mbështetur gjithnjë.
Kotorri, si ishte ky vit për Elbasanin?
Mund të them se ky vit ishte shumë i mirë për ne, duke qenë se pas shumë vitesh jemi rikthyer në Superiore. Ishte shumë pozitiv, duke rikthyer tifozët në stadium dhe duke bërë që në çdo ambient të flitet për skuadrën dhe futbollin.
Çfarë mund të bënte më mirë skuadra?
Edhe më mirë mund të kishin bërë për të shkuar në “Final 4”, sepse i kishim të gjitha mundësitë, por nuk ishte e thënë. Na ka mbetur peng ndeshja e fundit me Partizanin, por edhe disa takime në fushën tonë, ku mund të merrnim ndonjë fitore më shumë.
Si e prisni sezonin e ri?
Mendoj se sezoni i ri do të jetë më i mirë për ne. Tani jemi më të pjekur si skuadër dhe më të konsoliduar.
Drejtuesit synojnë Europën, e shihni të mundshme?
E shoh më se të arritshme. Me ndonjë përforcim cilësor në merkato, janë të gjitha mundësitë.
Deri më tani nuk është afruar asnjë lojtar në merkato, apo është ende herët?
Është ende herët, por drejtuesit, bashkë me ne si staf, po punojmë që të sjellim në ekip lojtarë shumë cilësorë. Synimi është të mos gabojmë në zgjedhjet që do të bëjmë.
Sa të kënaqur jeni nga performanca e portierëve dhe, me largimin e Abalorës, po shihni për portier tjetër?
Jam shumë i kënaqur si me Abalorën, ashtu edhe me Totoshin, duke i dhënë siguri skuadrës. Edhe kanë gabuar ndonjëherë, por, më thoni: a ka ndonjë portier në botë që nuk gabon brenda një sezoni prej 50 ndeshjesh? Ne po shohim për përforcime në të gjitha repartet. Mendoj se portieri që mund të vijë, duhet të jetë shumë cilësor. Na kanë ardhur shumë propozime, sepse skuadra jonë tani lakmohet nga të gjithë, por ne do të bëjmë zgjedhjen e duhur në këtë pozicion. Edhe portierit që kemi tani duhen marrë në konsideratë dhe duhet të bëjmë edhe një zgjedhje për ta, sepse janë portierët e klubit.
Keni një mesazh për tifozët para nisjes së sezonit të ri?
Tifozët janë forca jonë më e madhe. Ju e keni parë që kanë qenë të shumtë në çdo stadium që kemi luajtur. Nuk do t’i zhgënjejmë këtë vit dhe mendoj se të gjithë bashkë, lojtarë-stafdrejtues dhe tifozë, jam i sigurt që do t’i arrijmë objektivat.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL