Në Elbasan e dinë të gjithë se kur flet Mihal Gjika, fjalët nuk janë thjesht këshilla. Ato mbartin eksperiencë, pasion dhe dashuri të thellë për Elbasanin.
“Lakja”, siç e njohin të gjithë, nuk është vetëm një ish-lojtar i madh. Ai është një simbol i Elbasanit. Në fushë, ishte i palëkundur, i drejtë dhe gjithmonë i gatshëm për betejë. Ish-mbrojtësi i “hekurt” i verdhebluve dhe i Kombëtares, jep mesazhin e tij të qartë para sfidës së parë të sezonit ndaj Flamurtarit këtë të shtunë.
Për Gjikën, ky duel nuk është thjesht një fillim sezoni; është një mundësi për të vendosur moralin, frymën dhe ambicien e skuadrës. Në përgjithësi ai ruan një profil të ulët dhe nuk preferon të japë “mend”, por e thyen heshtjen e tij në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, sepse bëhet fjalë për ekipin ku ai ka bërë histori.
RËNDËSIA E STARTIT – “Fillimi është gjithmonë vendimtar”, thotë Gjika me zë të qetë, por serioz. “Ndeshjet e para nuk përcaktojnë vetëm pozitat në tabelë, por krijojnë ritmin dhe besimin e skuadrës. Fitorja ndaj Flamurtarit nuk do të ishte thjesht tre pikë, do të ishte mesazh për të gjithë: Elbasani ka ambicie dhe kërkon të nisë sezonin me këmbë të fortë”, u shpreh “Lakja”. Ai shton gjithashtu se tri pikët e para kanë një rëndësi psikologjike të jashtëzakonshme: “Kur fiton javën e parë, lojtarët ndihen të çliruar, presioni bie dhe ambienti brenda klubit bëhet më pozitiv. Ky është çelësi për të vazhduar me ritëm të mirë, për të ruajtur moralin dhe për të krijuar një atmosferë fituese brenda skuadrës”, pohoi fillimisht Mihal Gjika.
RUAJTJA E GRUPIT – Ish-mbrojtësi i kujton tifozëve dhe drejtuesve se një start i mirë nuk vjen vetëm nga strategjia, por edhe nga stabiliteti i grupit: “Nuk i njoh ende të gjitha afrimet e reja, por më gëzon që nuk janë bërë ndryshime të mëdha. Kur ekipi ruan boshtin, ruan dhe shpirtin e tij. Boshti është ai që jep përvojë, vazhdimësi dhe siguri. Lojtarët e rinj marrin shembullin e të moshuarve dhe gjithë skuadra funksionon si një trup i vetëm”, vijoi Gjika. Më tej, ai thekson se presioni i tepërt në fillim mund të jetë kundërproduktive: “Nuk duhet të presim mrekulli që në ndeshjen e parë. Presioni i panevojshëm mund të shtrembërojë lojën. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për rezultat, por për mënyrën si nis rrugëtimi i sezonit”, sqaroi Mihal Gjika.
MESAZHI – Për Mihal Gjikën, një ndeshje e madhe nuk mund të ekzistojë pa tifozë. Ai bën thirrje dhe ka një mesazh për tifozët. “Të gjithë duhet të jemi në stadium. Elbasani ka nevojë për duartrokitje dhe për atë energji që vetëm tifozët e tij mund ta japin. Kur stadiumi është plot, lojtarët ndihen të mbështetur dhe luajnë me shpirt, duke dhënë maksimumin”, pohoi Gjika. Por ish-mbrojtësi nuk harron të përmendë përgjegjësinë e klubit: “Drejtuesit duhet të bëjnë pjesën e tyre, të aplikojnë çmime të arsyeshme, të bëjnë publicitet maksimal dhe të kujdesen që njerëzit të dinë: të shtunën luan Elbasani. Një ndeshje e parë me stadium të mbushur dhe tifozë të shumtë është një festë e vërtetë për qytetin dhe për skuadrën”, mbylli prononcimin e tij për gazetën një nga më të mëdhenjtë e futbollit elbasanas.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL