Prej më shumë se gjysmë dekade, qyteti i Elbasanit nuk ka një kinema. E fundit që elbasanasit e mbajnë mend, ka qenë kinema “11 nëntori”, e cila ndodhej në një zonë ku sot lulëzon një pallat shumëkatësh. Kur u prish kinemaja, autoritetet lokale premtuan se në ambientet e pallatit do të përshtatej edhe kinemaja e re, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.
Fatkeqësisht, nxënësit nuk e dinë nëse qyteti ka pasur ndonjëherë kinema, pasi kur ajo ekzistonte si godinë ata sapo kishin lindur, ose ishin shumë të vegjël. Ndërsa qytetarët shprehen të keqardhur, që një qytet me histori dhe kulturë si Elbasani nuk ka qoftë edhe një kinema të vetme nga tre që ka pasur dikur.
Si për ironi të fatit, sikur në çdo moment kërkon t’i kujtojë pushtetit lokal premtimet që kanë bërë, kinemaja vijon të përmendet si nocion, edhe pse si objekt nuk ekziston. Bizneset e vendosura në vendin kur dikur ka qenë kinemaja, reklamojnë produktet e tyre, duke dhënë si adresë pikërisht togëfjalëshin: ish-kinemaja Elbasan./a2news