Ish-kampioni i Elbasanit, Roseni: Sfida me Dinamon, vendimtare! Ja kush bën diferencën

Elbasani po përjeton një nga sezonet më të mira të viteve të fundit dhe këtë e konfirmojnë jo vetëm rezultatet, por edhe zërat e atyre që kanë shkruar histori me këtë skuadër. Një prej tyre është edhe Arjan Roseni, ish-mbrojtës i verdhebluve dhe pjesë e ekipit kampion në sezonin 1983- 1984. Roseni, i cili mban në ADN-në e tij futbollin elbasanas, është edhe nipi i trajnerit legjendar Shefqet Lamçja, një prej figurave simbol të brezave të arta në këtë qytet.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Roseni flet për ecurinë e Elbasanit, forcën e grupit, punën e stafit dhe shanset reale për të hyrë në “Final 4”. Ish-mbrojtësi ndalet te ndryshimi i mentalitetit, disiplina e brendshme dhe forca kolektive që po karakterizon ekipin këtë sezon.

Në analizën e tij, ai vlerëson progresin e mbrojtjes, cilësinë e grupit dhe stabilitetin financiar, duke theksuar se këto janë themele të forta për të synuar objektiva madhorë. Roseni sjell edhe shembuj konkretë nga sezoni i kaluar, që sipas tij treguan disiplinën e re të skuadrës dhe ndikimin pozitiv në rezultatet e sotme.

Si ju duket Elbasani në këtë moment të kampionatit?

Të jem realist, ka kohë që nuk e kam parë Elbasanin në një situatë kaq të mirë. Ka pasur vite dhe momente të veçanta në histori, periudha kur u shpallëm kampionë në 1983-1984 dhe pastaj në 2005-2006, si edhe sezoni paraardhës kur ekipi u shpall nënkampion. Por, përgjithësisht ka qenë e vështirë që Elbasani të konkurronte fort për titull. Në traditë kemi qenë zakonisht skuadër e vendit të katërt apo të pestë, një ekip stabël, por jo shpesh pretendent siç po ndodh këtë vit.

Ku mendoni se ka ndryshuar më shumë skuadra?

Shumëçka ka ndryshuar. Së pari, shoh një Elbasan shumë më të fortë në mbrojtje. Në dy-tre ndeshjet e fundit ekipi është përmirësuar ndjeshëm, sepse më herët kishte probleme në atë repart, të paktën ashtu si e kam parë unë. Tani mbrojtja është shndërruar në një nga armët kryesore. Ka kompaktësi, ka reagim, dhe lojtarët duken më të sigurt.

Sfida me Dinamon, çfarë ndeshjeje prisni?

Me Dinamon duhet shumë kujdes. Është një ekip me kundërsulm të shpejtë dhe kjo është pika që më shqetëson më shumë. Nëse Elbasani luan me sakrificë, me zemër dhe me disiplinë, jam i sigurt se mund të dalë me rezultat pozitiv. Dinamo është rival direkt dhe këto ndeshje përcaktojnë shumë për vazhdimësinë dhe aspektit moral.

Sa e rëndësishme është harmonia në grup?

Pa harmoni nuk funksionon asgjë. Mund të fitosh ndeshje të rastësishme ose kundër ekipeve më të dobëta, por nuk bën dot kampionat. Te Elbasani shoh një atmosferë shumë të mirë, lojtarët janë të bashkuar dhe kjo është arsyeja që ekipi po merr rezultate.

A e shihni Elbasanin në “Final 4” në fund të edicionit?

Po, nëse vazhdohet kështu, besoj fort që “Final 4” është i arritshëm. Kam informacion se edhe nga ana financiare çdo gjë është në rregull, lojtarët janë të qetë dhe nuk ka probleme. Kjo ndikon shumë në performancën e ekipit. Njëkohësisht di që edhe janë një ekip i disiplinuar dhe kjo ka shumë rëndësi për të qenë konkurrues.

Mund të sillni një shembull për të treguar disiplinën?

Po, një moment nga sezoni i kaluar mbetet shumë domethënës për mua. Para ndeshjes me Laçin, dy lojtarë u ndëshkuan për vonesë në autobus dhe megjithëse ishte një risk i madh, sepse mund të shkarkohej nëse mundej, trajneri Gvozdenoviç mori vendimin e drejtë. Elbasani fitoi atë ndeshje dhe ajo shërbeu si mesazh i qartë për të gjithë skuadrën: pa disiplinë nuk ecet përpara. Ky është një element që e shoh qartë edhe këtë sezon.

Mesazhi juaj për ekipin dhe tifozët?

Le të vazhdojnë me të njëjtin ritëm dhe me të njëjtën qetësi. Grupi është i mirë, klubi po funksionon si duhet dhe qyteti po e mbështet. Nëse ruhet harmonia, unë besoj se ky sezon mund të jetë një ndër më të suksesshmit e viteve të fundit.

VLADIMIR MEMA  – PANORAMASPORT.AL