Ish-drejtori i “verdhebluve” analizon situatën, Dalipi: Këtij Elbasani i duhet një psikolog

Elbasani sigloi këtë të shtunë barazimin e tretë radhazi në kampionat dhe të gjashtin këtë sezon, duke humbur sërish shansin që të ishte në krye të klasifikimit, që është vetëm dy pikë larg, i mbajtur nga Partizani. Për specialistin e futbollit dhe ish-drejtorin sportiv të KF Elbasanit, Sabri Dalipi, problemi i ekipit verdheblu është më së shumti në faktorin psikologjik.

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ai u sugjeron drejtuesve të marrin edhe një psikolog, gjë që i mungon skuadrave shqiptare. Dalipi gjithsesi vlerëson në tërësi kampionatin që po bëjnë dhe po rivalizojnë denjësisht, duke evidentuar edhe dy afrimet e verës si portieri Abalora dhe sulmuesi Ze Gomesh.

Në fund, ai jep edhe disa sugjerime teknike, ndërsa ka besim se ndaj Teutës mund të dalin me tri pikë për të ruajtur ritmin e kundërshtarëve, dhe pse jo për të mbajtur edhe vendin e parë. Verdheblutë janë rikthyer menjëherë me qasjen e duhur në Kategorinë Superiore.

Dalipi, pse po vuan Elbasani të shkojë te fitoret?

Unë mendoj se më shumë Elbasani problemin e ka tek ana psikologjike. E them këtë në kuptimin që lojtarët të jenë më të lirshëm dhe të mos ngarkohen shumë. Ne e shohim që jashtë fushe skuadra luan më lirshëm, ndërsa në shtëpi janë shumë të ngarkuar, ndoshta për faktin se kërkohet patjetër fitorja. Ekipi ndoshta duhet të ketë edhe një psikolog, gjë që klubet shqiptare në dijeninë time nuk e kanë. Ana psikologjike është shumë e rëndësishme, sidomos kur lojtarët kalojnë një ngërç, sepse unë nuk shoh problem tjetër tek Elbasani. Cilësia dhe elementet nuk i mungojnë, por shoh një ngërç psikologjik, që e ka “bllokuar ekipin në këto javë të fundit.

Përpos anës psikologjike, ku çalon skuadra?

Në tërësi skuadra është e kompletuar dhe nuk duhet të harrojmë se deri tani e kanë mbajtur me zotësi vendin e katërt, sepse janë ekip që e përballon shumë mirë kundërshtarin, çka tregon se ka potencial. Por meqë po më kërkohet një mendim, po e jap një sugjerim dhe nga ana teknike, se mbase i bën mirë skuadrës.

Në mesin e fushës shoh mungesën e një lideri, edhe pse aty ka lojtarë me shumë cilësi. Ndoshta Telushi me eksperiencën që ka, në ndeshjet në shtëpi mund të avancojë në mesin e fushës dhe në transferta ku kërkohet më shumë siguri dhe eksperiencë në prapavijë, të luajë në qendër të mbrojtjes. Për sulmin, Gjonit mund t’i jepen më shumë minuta në fushë, ndërsa Melo mendoj se është më i aftë në sulm, sesa si mesfushor. Sa i përket cilësisë, shoh që skuadra ka lojtarë me mjaft eksperiencë dhe që mund ta përballojnë ritmin e Superiores.

Ndeshja e radhës me Teutën, si e shihni?

Me Teutën është pak ndeshje e vështirë për vetë faktin se kundërshtari vjen pas një humbjeje të thellë dhe do të tentojnë maksimumin me Elbasanin. Por nëse Elbasani luan si ndeshjen e parë me durrsakët apo si me Bylisin para disa javësh, mendoj se i ka të gjitha shanset për të fituar. Ekipi duhet të hyjë në fushë për të fituar dhe më e pakta më pas nuk duhet të dalë pa pikë.

Cilët kanë bindur apo kanë bërë diferencën deri më tani tek Elbasani?

Diferencën e ka bërë si fillim portieri dhe për mua është një ndër më të mirët e Superiores. I dyti është sulmuesi Ze Gomesh, jo vetëm për golat që po shënon, por për gjithçka që jep në fushë. Ndoshta ka nevojë edhe për një pykë më cilësore përpara për të dalë më në pah loja apo për të qenë më rezultativ sa i përket shfrytëzimit të rasteve, që për hir të së vërtetës Elbasani i prodhon me shumicë.

Shohim shumë barazime këtë kampionat, pse vjen kjo?

E para është se ekipet janë aty-aty dhe nuk ka shumë diferenca. Të gjitha kanë bërë investime dhe kanë krijuar një grup, ku përjashto ndonjë skuadër që luan për mbijetesë, të tjerat duken të barabarta.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL