Ish-drejtuesi i njohur elbasanas, Sabri Dalipi, mbetet një prej zërave më të besueshëm kur bëhet fjalë për analizën e Elbasanit dhe ecurinë e tij në këtë sezon. Me qetësinë dhe realizmin që e karakterizon, ai ndjek nga afër çdo hap të verdhebluve dhe vlerëson se skuadra po hyn në një periudhë ku loja, forma dhe besimi po shkojnë në të njëjtin drejtim. Pikërisht për këtë arsye, përballja ndaj Dinamos vjen në një moment të favorshëm.
Sipas Dalipit, Elbasani ka treguar rritje të prekshme në lojë dhe në qëndrueshmërinë fizike, ndërsa rezultatet e fundit e kanë konsoliduar grupin në garën për “Final 4”. Ai e sheh ndeshjen në “Air Albania” si një terren që i shkon për shtat ekipit, duke theksuar se elbasanasit shpesh luajnë më të lirshëm dhe më të qetë larg fushës së tyre. Në këtë intervistë për “Panorama Sport”, Dalipi flet me bindje për shanset e skuadrës, vlerëson rritjen e repartit të sulmit dhe ndalet te elementët që, sipas tij, mund të bëjnë diferencën në sfidën e radhës.
Dalipi, si e shihni përballjen e radhës me Dinamon?
Ndeshje e fortë, e vështirë dhe me shumë përgjegjësi, por unë e shoh me besim. Mendoj se Elbasani ka mundësinë të marrë fitoren. Dinamo është skuadër që të ndëshkon nëse nuk je i kujdesshëm, por elbasanasit po vijnë në një formë të mirë. 1 2 ndeshje pa fitore ka skuadra e Egnatias. Rrogozhinasit barazuan me Vllazninë dy javë më parë, ndërsa u mundën në përballjen direkte me Elbasanin. Edhe një barazim në këtë sfidë do të ishte rezultat pozitiv, por personalisht besoj te tri pikët.
Keni theksuar se skuadra është në rritje. Çfarë ju bind më shumë në këtë ecuri?
Është e dukshme se loja ka ardhur duke u përmirësuar. Ka më shumë qetësi në ndërtim, më shumë zgjedhje të sakta dhe më pak gabime të panevojshme. Mendoj se ky është momenti që duhet shfrytëzuar. Në kampionat ka periudha kur skuadra “çel” dhe Elbasani më duket se është pikërisht në këtë fazë
Ndeshja do të luhet në “Air Albania” dhe jo Elbasan. Sa ndikon ky faktor?
Për mendimin tim është plus, sepse Elbasani shpesh luan më lirshëm jashtë fushës së vet. Në “Air Albania” ke terren perfekt, fushë të rregullt, kushte moderne. Kjo ndihmon skuadrat që kërkojnë të bëjnë lojë. Unë e shoh si një avantazh në të mirë të të dyja ekipeve sepse në një fushë të mirë del më shumë cilësia, por edhe fakti se Elbasani aty nuk ka presionin e shtëpisë.
Si e shihni garën e Elbasanit për “Final 4”?
Me atë që ka treguar ekipi deri tani, vendi në ‘Final’ 4 nuk duhet të diskutohet. Grupi ka cilësi, ekipi është i ndërtuar mirë dhe përgjigjet në ndeshje të vështira. Natyrisht, duhet vazhdimësi, por baza është e fortë dhe kjo më jep bindje.
A është fiziku një nga pikat që po bën diferencën?
Pa dyshim. Unë shoh rritje të dukshme fizike nga ndeshja në ndeshje. Lojtarët po vrapojnë më shumë, po mbyllin më mirë hapësirat dhe nuk bien ritmikisht në minutat e fundit. Kjo u ka dhënë mundësi të menaxhojnë më mirë ndeshjet dhe të marrin pikët që ndoshta më herët do t’u shpëtonin nga duart. Nga ana tjetër, shoh që tani ka edhe alternativa më shumë në dispozicion, duke i vënë edhe lojtarët në ‘luftë’ për një vend titullari.
Edhe sulmuesit kanë filluar të shënojnë. Sa e rëndësishme është kjo?
Shumë. Kur golat vijnë nga sulmuesit, atëherë e gjithë skuadra merr frymë ndryshe. Tsague për mua është kthyer në një pikë referimi. Mbron topin, punon shumë fizikisht, përplaset me mbrojtësit dhe tani ka filluar të shënojë rregullisht. Një sulmues që të bën punë në të gjitha fazat është shumë i vlefshëm
Cili është mesazhi juaj për skuadrën para kësaj sfide?
Qetësi dhe inteligjencë. Elbasani nuk ka pse të hyjë me presion. Të luajë me besim, të ruajë ekuilibrat dhe të përfitojë nga momentet që krijon. Nëse vazhdon me këtë mentalitet, unë jam i bindur se rezultati pozitiv nuk do të mungojë.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.