Inceneratori i Elbasanit, Llatja: Impianti është demonizuar shumë. “Elbasani 2030” do të transformojë qytetin

Gledian Llatja, kryebashkiaku i Elbasanit i cili kandidon sërish për këtë post në zgjedhjet e 14 majit, në një intervistë ekskluzive për “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN, deklaroi se inceneratori i Elbasanit është “demonizuar” shumë.

“Elbasani nuk e harron situatën para 6-7 vitesh, kur mbetjet trajtoheshin buzë Shkumbinit dhe digjeshin, kur në Elbasan nuk hapje dot dritaret. Sot, kemi një impiant trajtimi të mbetjeve, i cili menaxhohet nga të 7 bashkitë e Qarkut Elbasan dhe jam i bindur që pas procesit gjyqësor, qytetarët do të bëhen pronarë të atij impianti, për të vijuar më pas punën. Inceneratori është funksional, ka pasur remontin e vet dhe mbetjet trajtohen atje sot. Është demonizuar shumë i gjithë impianti. Kushdo që flet për të, demonizohet automatikisht, ndërkohë që neve në Elbasan nuk e harrojmë se si trajtoheshin mbetjet më parë. Mund të ketë pasur çfarëdolloj problematike, por është drejtësia ajo që po merret tani”, deklaroi Llatja.

Sipas tij, “Elbasani 2030” është programi i madh, “që do të transformojë qytetin”.

“Do të kemi qytet të stabilizuar ekonomikisht, me zgjerimin e korridorit 8 dhe spostimin e hekurudhës. Janë projekte që duan kohën e vet dhe që kulmojnë në vitin 2030. Është vizioni ynë për të pasur një qytet me standarde evropiane dhe shërbime evropiane”, tha Llatja.

“Kemi pasur sfida sapo nisëm mandatin, pasi u përballëm me tërmetin dhe pandeminë, administruam shumë mirë të ardhurat tona e më pas nisëm me investimet. Kemi shtuar sipërfaqet e gjelbërta, kemi vazhduar me rehabilitimin e shkollave dhe terreneve sportive. Kemi shlyer borxhet e vjetra që ka pasur bashkia. Kemi treguar që jemi seriozë në investimet tona dhe sidomos me bizneset private. Kemi mbështetur shumë edhe jetën kulturore dhe sportin në qytet”, shtoi Llatja.

Në lidhje problematikën kryesore që përcjellin qytetarët, Llatja theksoi: “Kryesisht problematikat lidhen me infrastrukturën. Qytetarët kanë kërkesa të vazhdueshme dhe lidhen së shumti me bujqësinë. Ndërsa qendra e qytetit ka problematikë jetën kulturore dhe sportive. Ne kemi 4 vite që i adresojmë këto kërkesa dhe kemi 4 vite që punojmë. 4-vjeçarin tjetër patjetër që do të adresojmë një pjesë të madhe të tyre”.