Monday , June 30 2025

Ibraimi afrimi i radhës, pritet edhe një sulmues izraelit/ Zbulohen planet e merkatos së Elbasanit

Ekipi i Elbasanit kryen afrimin e radhës në merkato. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se verdheblutë pritet të firmosin me fantazistin e ri premtues, Donart Ibraimi. 21-vjeçari vjen nga ekipi i Voska Sport në Maqedoninë e Veriut dhe shihet si një investim për të tashmen dhe të ardhmen e skuadrës verdheblu, që këtë sezon synon të konfirmohet në elitën e futbollit shqiptar.

Ibrahimi ka lënë gjurmë në kampionatin maqedonas duke realizuar 4 gola dhe duke dhënë 3 asiste në sezonin e fundit, ndërsa paraqitjet e tij të mira i kanë siguruar edhe ftesën në përfaqësuesen U-21 të Maqedonisë së Veriut.

Një lojtar i shpejtë, teknik dhe me nuhatje për golin, ai pritet të shtojë konkurrencën në repartin ofensiv të Elbasanit, që po ndërtohet me kujdes nga drejtuesit dhe stafi teknik në funksion të objektivave të sezonit të ri në Superiore. Më herët, ai ka qenë edhe pjesë e Partizanit të 21-vjeçarëve në vendin tonë dhe rolin natyral ka atë të fantazistit.

SULMUES IZRAELIT – Merkatoja verore e Elbasanit vijon intensive, ndërsa klubi është përqendruar në përforcimin e vijës së parë të sulmit. Sipas burimeve pranë klubit verdheblu, është hapur një pistë e re interesante nga tregu ndërkombëtar: një sulmues izraelit është në radar dhe tashmë kanë nisur kontaktet e para mes palëve.

Bëhet fjalë për një profil që ka eksperiencë të konsiderueshme, luan si qendërsulmues dhe ka qenë pjesë e ekipeve konkurruese në kampionatin izraelit. Lojtari shihet si një alternativë serioze për repartin ofensiv, ku Elbasani kërkon të rrisë nivelin cilësor dhe të shtojë efikasitetin në fazën sulmuese. Aktualisht, nuk ka ende një marrëveshje zyrtare, por drejtuesit janë në pritje të një përgjigjeje konkrete gjatë ditëve në vazhdim. Gjithsesi, mbetet për t’u parë nëse oferta e Elbasanit do ta bindë lojtarin që të bëjë hapin drejt futbollit shqiptar.

VËSHTIRËSOHET SADIKU – Nga ana tjetër, është vështirësuar dukshëm pista për Armando Sadikun, një tjetër emër që ka qenë në fokusin e klubit. Sulmuesi me eksperiencë ka si objektiv primar të vazhdojë karrierën jashtë vendit. Pavarësisht dëshirës që ekziston nga Elbasani për ta afruar, gjasat që një marrëveshje të arrihet janë të pakta për shkak të synimeve personale të lojtarit, i cili pret oferta nga tregje të huaja.

Në këtë situatë, klubi verdheblu mbetet në ndjekje të një profili që të përputhet me filozofinë e ekipit dhe që të mund të bëjë diferencën në sezonin e ardhshëm. Alternativa nga Izraeli duket se është bërë më konkrete, ndërsa vendimet përfundimtare priten së shpejti.

PLANET E MERKATOS – Elbasani po vijon punën në merkato, por deri më tani, lëvizjet zyrtare janë të pakta. E vetmja goditje e konfirmuar është afrimi i portierit çek, Martin Janaçek, një transferim që synon të zgjidhë çështjen e gardianit pas largimeve në këtë repart. Ky përforcim shihet si një hap i rëndësishëm, por drejtuesit e klubit janë të vetëdijshëm se skuadra ka nevojë për më shumë afrime, sidomos në repartet kyçe për balancën e lojës.

Nga ana tjetër, Elbasani ka regjistruar pesë largime zyrtare deri tani, duke e bërë të nevojshme ndërhyrjen me zëvendësime cilësore. Disa prej këtyre largimeve kanë qenë të pritshme, për shkak të mbarimit të kontratave apo dëshirës së lojtarëve për të provuar eksperienca të reja, ndërsa të tjerat janë vendime teknike. Situata aktuale bën që klubi të jetë në një garë me kohën për të plotësuar boshllëqet e krijuara dhe për të ndërtuar një ekip konkurrues për sezonin e dytë radhazi në Superiore.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL