Rritja e rasteve me COVID në vendin tonë po shënon shifra të larta duke shënuar mbi 1000 raste në ditë, ndërsa dhe numri i viķtima ka shënuar rritje. Problem janë të rinjtë, të cilët gjithnjë e më shumë po preken nga virusi, duke sjellë edhe ngritjen e alarmit nga epidemiologët në vend.
Report Tv udhëtoi brenda mureve të Covid 2, ku numri i të rinjve është rritur. Ata apelojnë për kujdes, teksa thonë se neglizhenca mund të sjellë pasoja fatale. Një prej të intervisstuarve në spitalin Shefqet Ndroqi është edhe 29-vjecari nga Elbasani.
Jam 29 vjeç nga Elbasani. Nisi si një grip i lehtë, me simptomat e një gripi normal dhe si ne të rinjtë edhe me pak neglizhencë, që e lëmë pas dore, kaloi në gjendje të rëndë të frymëmarrjes, si fillim shkova në urgjencën e Elbasanit, ku mora ndihmën e parë, por duke parë që nuk po përmirësohesha, erdha me urgjencë në Tiranë.
Në fillim mu kërkua që të bëja tamponin, me anë të procedurës së mjekut të familjes, mu dhanë ilaçet, por kisha sërish probleme, ndaj erdha. Kam ardhur në spital në gjendje të pavetëdijshme. Sot është dita e 4-rt, kalova në reanimacion sepse kisha probleme me frymëmarrjen. Ndërsa tani, krahasuar me gjendjen si erdha, jam si nata me ditën. Që mund të infektohesha e kisha menduar, por që do përfundoja në spital, jo, sepse thoja jam i ri, do ia dal me antibiotikë, por qenka e vështirë.
Infektimi i të rinjve mbase po vjen nga neglizhenca, i këshilloj të gjithë të kujdesen shumë, edhe kur flas me miqtë, i them të kujdesen për veten, sepse nuk ka limit, askush nuk mund të jetë i mbrojtur. Dua të falenderoj doktoreshë Almën, nga i pari te i fundit vijnë na japin ndihmë, na kanë qëndruar pranë. Besoj që më e keqja është pas krahëve, nga ky moment e tutje do jem më i rreptë ndaj masave sepse ndihmojnë edhe të tjerët” thotë 29 vjecari Damiano Shabani, i shtruar prej 4 ditësh në spitalin “Shefqet Ndroqi”.