Altin Hyso nuk mundi që të mbijetojë pasi u prek nga koronavirusi në Itali. Mediat italiane kanë shkruar se 45-vjeçari jetonte prej 25 vitesh në Sulmona dhe prej shumë kohësh kishte zbuluar se vuante nga një sëmundje e rëndë, kundër së cilës ai luftoi shumë. Për gjashtë vjet ai kishte arritur të jetonte me sëmundjen, megjithëse me vuajtje dhe dhimbje të mëdha.
Ai humbi jetën në spitalin e Chietit, ku ishte transferuar nga institucionet shëndetësore pasi rezultoi pozitiv me COVID-19. Dëshira e tij e fundit ishte që të ndërronte jetë në shtëpinë e tij mes njerëzve të dashur të familjes, dëshirë e cila mbeti e paplotësuar.
“Në prisnim rezultatin e testit të dytë, për ta sjellë atë në shtëpi”, thanë familjarët e 45-vjeçarit shqiptar. “Ne do ta kujtojmë atë për buzëqeshjen e tij që nuk u zhduk kurrë, madje as gjatë viteve të vëshțira të sëmundjes dhe madje edhe pasi mësuam se ai ishte pozitiv me COVID-19”, thanë familjarët.
Hyso, i cili punonte si punëtor ndërtimi la gruan dhe dy fëmijët e tij të mitur, ndërsa ngjarja e rëndë preku komunitetin mbarë shqiptar në Abruzzo. Emigranti shqiptar ishte një person i vlerësuar dhe i respektuar, i cili e donte jetën.