Prej disa ditësh, historia e Gemma Fraser, mamasë 35-vjeçare nga qyteti skocez i Edinburgh-ut është shndërruar në titullin kryesor të gazetave britanike dhe jo vetëm. Gruaja e re, e cila me profesion është gazetare, mama e dy vajzave ka paralajmëruar të gjithë prindërit të tregohen të kujdesshëm pasi një gabim apo pakujdesi e momentit mund të jetë fatale për fëmijët e tyre.
Gjithçka nisi qershorin e shkuar kur vajza e saj Orla, po luante në dhomën e saj dhe mamaja e re dëgjoi të qarat dhe ulërimat e pafund. Fillimisht mendoi se ajo ishte alergjike ndaj materialit të ndonjë lodre, por vajza vazhdonte të qante në mënyrë të pakontrolluar edhe kur mamaja e largoi prej aty.
Gemma vendosi t’i hiqte rrobat dhe u shokua kur vuri re se një tufë nga flokët e saj biondë ishin rrotulluar rreth gishtave të vegjël të vogëlushes Orla, duke ndërprerë qarkullimin e gjakut dhe duke i lënë të fryrë dhe të skuqur.
Gishtat ishin skuqur dhe fryrë aq shumë, ajo s’e dinte sa kohë kishte vajza që vuante nga diçka e tillë dhe tentoi t’ia hiqte vetë, por dhimbja ishte e tmerrshme. Lajmëroi menjëherë mjekun e familjes, të cilit iu deshën rreth 35 minuta të hiqte pjesën më të madhe, ndërsa vajza nuk pushonte së qari.
Pastaj iu drejtuan spitalit ku doktorët u siguruan të hiqnin të gjitha qimet dhe i dhanë mjekimet që duhet të merrnin. U deshën 5 javë trajtime intensive dhe 1 ndërhyrje kirurgjikale që Orla të mund të shërohej plotësisht.
Sipas mjekëve të ‘’ Royal Hospital for Sick Children’’, Orla vuante nga sindromi Tourniquet, e cila prek fëmijët sidomos në periudhën kur mamatë e tyre humbasin flokët pas shtatzënisë. Ata këshillojnë mamatë që t’i mbajnë flokët e shkurtra ose të lidhura ndërkohë që fëmijët e tyre janë ende shumë të vegjël./BURIMI ”THE INDEPENDENT”/ Living.al