Olivia është vetëm 23 vjeç, por ka kaluar shumë vështirësi në jetë. Ajo u detyrua të mos ndiqte studimet në universitet për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike që familja e saj kishte. Duke qenë një vajzë e përgjegjshme dhe me shumë dëshirë për të ndihmuar familjen, Olivia vendosi të emigrojë drejt Arabisë për të punuar. Por një moment i vështirë familjar e detyroi të rikthehej në Shqipëri.
Prej një viti e ëma është në gjendje të vështirë psikologjike, pasi nuk mund të përballojë humbjen e njeriut më të shtrenjtë, vëllait të saj, të cilin e kishte rritur. Por në atë kohë e bija nuk ishte afër që ta ndihmonte për ta kapërcyer këtë moment të vështirë.
Olivia e ka përjetuar shumë trishtimin e mami Agentinës, ndaj dhe e ftoi sot në rubrikën “Ka një mesazh për ty” të emisionit “E Diela Shqiptare” për t’i kërkuar ndjesë, si dhe për t’i dhënë një mesazh.
“Nëna ime ishte vetëm 10 vjeç kur gjyshja ime ndërroi jetë. Edhe pse shumë e vogël mori një përgjegjësi shumë të madhe sepse në prehërin e saj u ulën tezja dhe daja, që ishin më të vegjël. Mami u detyrua të linte shkollën dhe të fillonte një punë që të suportonte ekonomikisht familjen. Me të gjitha vështirësitë kaluan vitet dhe erdhi periudha e tranzicionit dhe daja me gabimet e tij u dënua dhe i hoqën lirinë për 7 vite”, rrëfeu Olivia.
Ajo shton se Agentina vijoi të ishte si një nënë për të vëllanë, duke u përkujdesur për të kur ishte në burg, si dhe për familjen e tij, të përbërë nga dy fëmijët dhe bashkëshortja. Por kjo e fundit vendosi të mos e priste bashkëshortin dhe të vijonte jetën e saj, ndaj dhe daja i Olivias u martua sërish dhe emigruan drejt Italisë. Por gjendja ekonomike e familjes së Olivias vijonte të mos përmirësohej.
“Ëndrra ime u la përgjysmë, që ishte gazetaria dhe mori fund për arsye ekonomike. Unë nuk mund ta vazhdoja shkollën dhe u detyrova të kërkoja një punë. Me disa njohje dhe pak mundime gjeta një punë në Arabi. Punoja shumë, por nuk kishte asnjë moment që unë të flija gjumë pa më thënë Tina ime (mami) natën e mirë, apo në mëngjes që më thoshtë çohu shpejt e bëhu gati për punë. Më 2 Shkurt të vitit të kaluar mua nuk më erdhi telefonata e mamit. Më mori motra dhe ishte duke qarë. Të betohem që ngriva dhe mendova gjënë më të keqe se mos i kishte ndohur gjë mamit. Motra më tha që daja kishte ndërruar jetë në Itali. Vetëm imagjinova mamin në ato momente, por nuk kisha mundësi të kthehesha në Shqipëri”, tregoi Olivia, e cila ndihej shumë fajtore që nuk mund të ishte pranë të ëmës në ato momente shoku që kishte.
Pas disa muajsh e ëma vijonte të ishte në gjendje të rënduar psikologjike, ndaj dhe Olivia u detyrua të linte gjithçka në Arabi dhe të rikthehej në Shqipëri për t’i qëndruar pranë Tinës së saj.“Gjyshi dhe njerëzit e familjes nuk e kanë lejuar mamin që ta shikonte dajën. Unë dua t’i jap kurajo, sepse ajo e ka peng këtë. Duhet të gjejë forcën! Po mundohem të bëj të pamundurën që mami të rikthehet ajo që ka qenë dhe të buzëqeshë prapë se gjërat e tjera do rregullohen”, theksoi ajo.
Pavarësisht trishtimit të saj, Agentina gjeti forcën dhe pranoi ftesën për të qenë pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty”. Ajo nuk priste të shikonte fëmijët e saj pas murit ndarës, pasi ata e dinin gjendjen e saj, por kur pa Olivian në ekran, iu rikthye buzëqeshja.
Olivia: Mbretëresha ime!
Agentina: Kjo është vajza ime e vogël, është qetësia e shpirtit tim!
Olivia: Dua të të them dhe për këtë nëse do të kisha mundësi të vija aty te ty, do të ulesha në gjunjë dhe do të thoja më fal që nuk u gjenda pranë teje në momentin më të vështirë tëndin. Më fal që jeta më hodhi aq larg dhe nuk pata mundësi të të shtrëngoja krahët dhe të të fshija lotët. Tashmë çdo gjë që të të them unë, ti e ke marrë atë shok që nuk duhej ta kaloje. Ti nuk je vetëm! Unë të premtoj që do të jem gjithmonë me ty dhe pranë teje, si në raste të mira ashtu edhe të këqija që jeta do na sjellë bashkë. Nuk dua që në asnjë moment ti të qash, të ndihesh vetëm dhe të largohesh nga ne. Ma premto që në sytë e tu nuk do të ketë më lot. Sa për buzëqeshjet et ua, ma lër mua në dorë sepse do të sigurohem që çdo ditë në fytyrën tënde të ketë një buzëqeshje.
Agentina: Të do mami shumë!
Ardit Gjebrea i kërkoi Agentinës të gjejë forcën brenda vetes dhe të ecë përpara për fëmijët dhe bashkëshortin e saj. Ajo u shpreh se vëllain e ka rritur vetë dhe se i ka ngelur peng që nuk ka ardhur me të në rubrikën “Edhe unë këndoj”, pasi ia kishte kërkuar shpesh.
“Do vish sivjet dhe këngën do ta këndojmë bashkë. Më konsidero mua vëllaçkon tënd”, tha Gjebrea, duke i dhënë kurajo Agentinës ta mbajë mend të vëllanë ashtu siç ka qenë. Por asaj i ka ngelur peng që nuk e pa në arkivol, pasi ende nuk e pranon dot humbjen e tij.Ardit Gjebrea i ofroi Olivias të bëhej pjesë e stafit të “E Diela Shqiptare”, çka ka qenë ëndërr për të, si dhe i kërkoi Agentinës që të heqë zinë kur të kalojë një vit nga humbja e të vëllait.
“I jam lutur mamit tim për babain dhe ma plotësoi. Pas një viti ajo i hoqi rrobat e zeza dhe të njëjtën gjë dëshiroj dhe për ty. Të lutem ma premto”, u shpreh Gjebrea. Por për Agentinën është shumë e vështirë pasi ai për të ka qenë edhe vëlla, por edhe djalë, pasi e ka rritur vetë.
Ardit Gjebrea shtoi: “Dalëngadalë do të kuptosh që duke u rritur vajza jote do të bëhet jo vetëm vajzë, por edhe motër. Është e njëjta ndjenjë, siç është bërë djali im. Unë e kam djalë, por e kam edhe shok. Unë jetoj për të, vajzën dhe bashkëshorten time”.
Historia e Agentinës dhe Olivias na tregoi se ndonjëherë dhimbja për të dashurit që ndahen nga jeta, na bën të harrojmë se për kë duhet të jetojmë. Por fëmijët dhe familja janë bekimi i çdokujt dhe motivi për të ecur përpara./tvklan