Histori inspiruese/ I riu nga Elbasani një ndër pionierët e Inteligjencës Artificiale (AI) në Zvicër. Emri

Si çdo muaj edhe këtë muaj Ambasada e RSH-së në Bernë, ka zgjedhur të riun z.Genis Skura për ta promovuar si një ndër pionierët e Inteligjencës Artificiale (AI) në Zvicër. I lindur në qytetin e Elbasanit, z.Skura pas mbarimit të masterit po lë shenja suksesi në Kantonin e Gjenevës, Zvicër.

Ai ka mbaruar Bachelor-in për Inxhinieri Informatike në Universitetin Politeknik të Tiranës, ndërsa Masterin dy vjeçar në Shkencat Informatike në Universitetin e Gjenevës.

Përgjatë Masterit, ai ka bërë stazh midis Universitetit dhe Spitalit të Gjenevës, në aplikimin e metodave të Inteligjencës Artificiale për identifikimin dhe grumbullimin automatik të të gjitha termave mjekësore nëpër Korpuse Spitalore dhe dokumente të shëndetësisë globale.

Në një epokë kur teknologjia ka arritur shumë më shumë se sa ndonjëherë për të ndryshuar botën, suksesi dhe puna e Z. Skura është një ilustrim frymëzues i mundësive që ofron kjo fushe, pasi ai tani është pozicionuar si asistent kërkimor te Universiteti i Gjenevës dhe ai pedagogjik në një lëndë të quajtur “Introduction to AI” për Fakultetet joshkencore. Pra Genisi, përveç kontributeve të tij në fushën teknike, ai gjithashtu po angazhohet në edukimin e brezit të ardhshëm të inxhinierëve të AI.

Përveç kësaj, Genisi nuk ndalet me kaq. Ai tani ka në dorë një projekt gjigand mbi metodat e Inteligjencës Artificiale në rezolutat diplomatike, juridike si statutet ndërkombëtare dhe politike, si fjalimet. Po ashtu dhe metodat për lokalizimin automatik i gjithë entiteteve, personave, vendeve, ligjeve në një tekst pavarësisht gjuhës, analiza e sentimenti i fjalimeve.

Nga e gjithë fusha e Informatikës, Genisi zgjodhi specializimet në AI për shkak të interdisiplinaritetit. Sipas tij kjo nuk të limiton por të krijon mundësinë për tu marrë e punuar në projekte të ndryshme si në shëndetësi, financë, juridik apo diplomaci.

Sot, historia e suksesit të Z. Genis Skura shërben si një burim frymëzimi për të gjithë ata që janë të interesuar për të ndërtuar një karrierë në fushën e inteligjencës artificiale. Ai është një shembull shkëlqyeshëm i aftësive të nevojshme, përkushtimit dhe durimit për të arritur objektivat e larta dhe për të bërë ndryshime thelbësore në botën tonë nëpërmjet teknologjisë.

Ambasada e RSH-së në Bernë, ka kontakte dhe bashkëpunime të ngushta me z.Skura dhe i uron atij suksese duke i shprehur mbështetje të plotë në rrugën e vazhdueshme të suksesit dhe inovacionit.