Hila: Nuk mund të gaboja kundër Tiranës, tifozët parashikuan golin! Duhet të jemi më cinikë në mundësitë që…

Ardit Hila i shënon ish-skuadrës së tij, Tiranës, por nuk i jep dot fitoren skuadrës së tij me atë penallti të shndërruar në gol.

Pas ndeshjes për “Panorama Sport”, mesfushori elbasanas i kënaqet grintës dhe lojës, por kishte besim se do të dilnin me tri pikë. Hila ia kishte premtuar golin një tifozi, ndaj edhe shkoi festoi me ta, ndërsa theksoi se nuk i munguan emocionet nga 11 metrat. Elbasanasi ka besim se lojërat e mira që po bëjnë do t’i rikthejnë drejt fitoreve, e cila shpreson që të vijë që këtë javë ndaj Egnatias në transfertë.

Shënoni, por Elbasani sërish nuk fiton. Sa keq ju vjen?

Na vjen keq, sepse kemi zhvilluar një lojë të mirë dhe kemi pasur rastet tona. Në një kohë që kundërshtari nuk na goditi asnjëherë. E donim një fitore përballë publikut tonë, por për fat të keq nuk erdhi.

Ju pamë që shkuat festuat me një pjesë të tifozerisë, ishte një premtim i mbajtur nga ju?

Po, shkova të festoja te një nga tifozët që më pat thënë më herët që do të shënoja dhe unë ia premtova. Ky gol i dedikohet atij, por normalisht edhe gjithë tifozerisë së Elbasanit që ishte më e zjarrtë se kurrë.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL