HETIMI PER TENDERAT E AKSH, SPAK ZBARKON TEK BIZNESI NE ELBASAN

Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, kanë zbarkuar pasditen e djeshme në një biznes celularësh dhe pajisjesh elektronike, ku kanë sekuestruar celularin e pronarit të tij. Newsbomb.al mëson ekskluzivisht se këto veprime lidhen me një hetim në Tiranë.
Me urdhër të prokurorit, agjentët kanë mbajtur procesverbal dhe kanë sekuestruar aparatin celular të pronarit të biznesit, i cili rezulton se ka lidhje me hetimin dhe kontrollet që janë zhvilluar po dje në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, njohur si AKSHI.
Ky shtetas rezulton se ka përfituar një prej tenderave të dhënë nga kjo Agjenci dhe në kuadër të këtyre hetimeve, agjentët e BKH-së kanë zbarkuar në biznesin e tij.
Bëhet fjalë për kontroll në një biznes privat dhe sekuestrimin e aparatit celular të pronarit të tij.
Biznesi ku është kryer kontroll vepronte dhe si kompani në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe rezulton se është duke u hetuar në kuadër të tenderi me vlerë 1.6 miliardë lekë, me autoritetet kontraktor Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, njohur si AKSHI.
Prokuroria e Posaçme ka zhvilluar këtë të premte paradite një operacion në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Siç ka rrjedhur në media, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë mësyrë në zyrat e AKSHI-t duke sekuestruar kompjuterë dhe telefona në kuadër të një hetimi për korrupsion.