Sulmuesi i Elbasanit, Ze Gomesh, po kalon një moment shumë të mirë me skuadrën verdheblu.
Brenda vetëm katër ditësh ai arriti të bëjë diferencën në dy ndeshje vendimtare: fillimisht realizoi nga pika e bardhë në Kupë përballë Partizanit duke i dhënë ekipit kualifikimin në gjysmëfinale, ndërsa më pas shënoi golin e fitores në kampionat kundër Tiranës, që i siguroi tri pikë shumë të rëndësishme elbasanasve. Në një periudhë shumë të shkurtër, sulmuesi ka qenë protagonist absolut për ekipin e tij, duke ndezur edhe më shumë shpresat e tifozëve për një sezon të suksesshëm. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Gomesh flet për momentin e mirë që po kalon, dedikimet e golave, objektivat e skuadrës dhe jetën e tij në Elbasan.
Dy gola në vetëm pak ditë i dhanë Elbasanit kualifikimin në Kupë dhe tri pikë në kampionat. Si ndiheni?
Ishte një ndjenjë shumë e mirë për mua, sepse arrita të kontribuoj me gola në dy ndeshje të rëndësishme për ekipin. Për një sulmues është gjithmonë speciale kur ndihmon skuadrën me realizime, por mbi të gjitha ka rëndësi që ekipi fitoi dhe mori atë që na duhej në të dyja sfidat.
Kujt ia dedikoni këto gola?
Goli i parë në Kupë ishte një dedikim për Landin, fizioterapistin e skuadrës, sepse ai na ndihmon shumë çdo ditë dhe është gjithmonë pranë lojtarëve. Ndërsa goli ndaj Tiranës ishte për tifozët që udhëtuan nga larg për të na mbështetur. Ata e meritojnë sepse sakrifikojnë shumë për të qenë pranë ekipit.
Sa të rëndësishme ishin këto fitore për skuadrën?
Çdo fitore është e rëndësishme gjatë gjithë sezonit, nga muaji gusht deri në maj. Çdo ndeshje sjell presion dhe objektiva të reja, prandaj është shumë e rëndësishme të mbledhësh sa më shumë rezultate pozitive gjatë gjithë kampionatit dhe Kupës.
A mendoni se keni arritur formën tuaj më të mirë në këto dy ndeshje?
Ka qenë një javë shumë e mirë për mua dhe jam i lumtur për këtë, por sezoni nuk ka mbaruar ende. Unë vazhdoj të punoj çdo ditë për të përmirësuar formën time dhe për të ndihmuar ekipin sa më shumë që të jetë e mundur.
Në Elbasan ka shumë dëshirë për të fituar një trofe këtë sezon. A mendoni se është e mundur?
Në futboll gjithçka është e mundur, sidomos kur je në zonën e sipërme të renditjes dhe konkurron me ekipet më të mira. Megjithatë, sezoni është i gjatë dhe ka ende shumë ndeshje përpara. Vetëm me përulësi, përkushtim dhe shumë punë mund të arrijmë objektivat që kemi.
Ndeshja e radhës është ndaj Flamurtarit. Çfarë synoni në atë sfidë?
Ne hyjmë në çdo ndeshje me të njëjtin mentalitet: të marrim pikë dhe të luftojmë për fitoren. Edhe ndaj Flamurtarit do të jetë një ndeshje e vështirë, por synimi ynë është i qartë: të vazhdojmë me rezultate pozitive.
Ky është sezoni juaj i dytë në Elbasan. Si ndiheni këtu dhe çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje?
Deri tani ka qenë një eksperiencë shumë e bukur për mua. Klubi, njerëzit që punojnë këtu dhe qyteti më kanë pritur shumë mirë. Elbasani ka njerëz shumë miqësorë dhe kjo më ka ndihmuar të ndihem si në shtëpi.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.