Hapet Qendra e Re e Kujdesit Ditor për të Moshuarit në Elbasan/ Llatja: Do të vazhdojmë zgjerimin e shërbimeve

Bashkia Elbasan vijon angazhimin e saj për përmirësimin e cilësisë së jetës së moshës së tretë, me hapjen e qendrës së katërt multifunksionale të Kujdesit Ditor për të Moshuarit, një hapësirë e re që ofron kujdes, ngrohtësi dhe shërbime cilësore për komunitetin e të moshuarve.

Në këtë qendër multifunksionale ofrohen asistencë shëndetësore bazë, fizioterapi, këshillime sociale, si dhe aktivitete të ndryshme argëtuese që nxisin komunikimin dhe aktivizimin e anëtarëve. Hapësira është menduar si një shtëpi e dytë, ku çdo detaj është kujdesur për t’u ofruar pjesëmarrësve komoditet, ngrohtësi dhe respekt.

 Çdo ditë, punonjëset e qendrës kujdesen për matjen e tensionit dhe kontrollin e diabetit, ofrojnë çaj e kafe sipas dëshirës, ndërsa në ambientet e tjera zhvillohen seanca fizioterapie dhe aktivitete që sjellin buzëqeshje e energji pozitive.

 Falë programit dhe bashkëpunimit të Zyrës së Punës me UNDP Albania, të rinj të angazhuar janë bërë pjesë e këtyre qendrave, duke mbështetur stafin në ofrimin e shërbimeve dhe në gjallërimin e jetës sociale të të moshuarve. Ky bashkëpunim ndihmon në forcimin e solidaritetit ndërbrezor dhe krijimin e një komuniteti më të bashkuar.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka zhvilluar vizitën e tij në qendër, ku është takuar me të moshuarit dhe me stafin, duke ndarë me ta ide dhe iniciativa të reja për përmirësimin e mëtejshëm të shërbimeve.

 “Elbasani është qyteti i njerëzve me shpirt dhe traditë. Kujdesi për të moshuarit nuk është vetëm detyrim, por respekt për brezat që kanë ndërtuar këtë qytet. Synimi ynë është që çdo i moshuar të ketë një vend ku ndjehet i mirëpritur, aktiv dhe pjesë e komunitetit,”  u shpreh Kryetari Llatja gjatë vizitës.

Qendra e Kujdesit Ditor për të Moshuarit në Elbasan është shembull i përkushtimit të Bashkisë për ndërtimin e një modeli social gjithëpërfshirës, ku çdo brez gjen hapësirën dhe vlerën e vet në jetën e përditshme të qytetit.

Bashkia Elbasan ka paralajmëruar hapjen e edhe dy qendrave të tjera të këtij lloji brenda vitit, duke zgjeruar kështu rrjetin e kujdesit dhe mbështetjes për moshën e tretë në çdo lagje të qytetit.