Në Athinë, kryeqytetin e lashtë grek, hapet për herë të parë Mësonjëtorja shqipe e titulluar “Kostandin Kristoforidhi”. Me një iniciativë të fuqishme të Shoqatës së Elbasanit, Bashkisë dhe Këshillit të Qarkut, dhe me mbështetjen entuziaste të komunitetit shqiptar në emigracion, ky hap shënon një ngjarje historike dhe të paharrueshme për komunitetin shqiptar në Athinë.
Aktiviteti madhështor “Kujtesë për Vazhdimësi” do të zhvillohet për të festuar 115-vjetorin e Shkollës Normale të Elbasanit, me moton “Ora e Fjalës Shqipe”. Kjo ngjarje do të mbledhë së bashku figura të shquara si Kryetari i Bashkisë z. Gledian Llatja, kryetarja e Këshillit të Qarkut znj. Ermira Urupi, historianë, intelektualë dhe emigrantë shqiptarë në Athinë. Mbrëmja do të ndriçohet nga interpretimet artistike të ikonave të skenës shqiptare, përfshirë Kastriot Tushën, Zeqir Sulkuqin, Englantina Toskën, Klement Markun dhe Dritan Mustafën.
Një nga pikat kulminante të këtij aktiviteti do të jetë kumtesa për Shkollën Normale të Elbasanit dhe vlerat universale të trashëgimisë së saj. Historianët e njohur do të referojnë për vlerat e Shkollës Normale si një institucion kyç në fushën e arsimit kombëtar dhe rolin e saj të pazëvendësueshëm në emancipimin e shoqërisë shqiptare.
Gjatë këtij eventi të jashtëzakonshëm, do të ndahen tituj nderi nga Bashkia Elbasan dhe Këshilli i Qarkut për personalitetet që kanë kontribuar në promovimin dhe ruajtjen e kulturës shqiptare.
Normalja e Elbasanit, e hapur në dhjetor të vitit 1909, është shkolla e parë e arsimit profesional arsimor në gjuhën shqipe, e krijuar në bazë të vendimeve të Kongresit të Elbasanit, të mbajtur tre muaj më parë. Në fjalimin e tij, drejtori i parë, Luigj Gurakuqi, e krahasoi çeljen e Normales me një diell të ri që po lindte në Elbasan, nga ku do të përhapej drita mbi gjithë Shqipërinë.
Kjo ngjarje simbolizon një hap të rëndësishëm drejt promovimit dhe kultivimit të gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë shqiptare, duke forcuar lidhjet e shqiptarëve kudo që ndodhen me rrënjët e tyre dhe me atdheun e tyre të dashur.