Gvozdenoviç: Ta nisim mbarë kampionatin! Gati për çdo skenar kundër Flamurtarit, duam fitore dhe jo lojë

Elbasani do të presë sot në “Elbasan Arena” skuadrën e Flamurtarit, këtë herë në kuadër të kampionatit, me synimin për të dalë me tri pikë nga ky duel. Situata në kampin verdheblu paraqitet e qetë, edhe pse çdo ndeshje mbetet një luftë më vete, pasi elbasanasit kanë synime madhore këtë sezon, ku objektivi minimal është renditja në katërshe.gvozdenovicPërballja ndaj vlonjatëve shihet si një test i rëndësishëm për vazhdimësinë e rezultateve pozitive. Trajneri Ivan Gvozdenoviç ka folur për mediat një ditë para këtij takimi, duke mos e fshehur ambicien për ta nisur vitin mbarë në kampionat, pasi një rezultat pozitiv mund të ketë ndikim të madh edhe në aspektin moral të skuadrës. Ai ka kërkuar përqendrim maksimal nga lojtarët, duke theksuar se çdo detaj mund të bëjë diferencën.

”Pas tri ditësh përballemi sërish me Flamurtarin, kësaj here ndryshe nga ajo e Kupës. Mendimi ynë i parë është që ta nisim vitin në kampionat sa më mirë, ashtu siç kemi menduar gjithmonë para çdo ndeshjeje. Duam ta nisim me fitore dhe jemi gati, sepse edhe situata e ekipit është e mirë. Ndeshja e parë ka rëndësi të madhe edhe nga ana morale. Jemi të gjithë bashkë për të synuar fitoren, për të luajtur bukur dhe për t’u përgatitur për një luftë sportive. Pres një ndeshje interesante dhe të fortë, ashtu siç ka ndodhur gjithmonë me Flamurtarin”, u shpreh fillimisht tekniku i verdhebluve.

FLAMURTARI – Përballë Elbasanit do të jetë një Flamurtar që kërkon reagim, çka e bën sfidën edhe më të ndërlikuar për verdheblutë. Trajneri serb beson se kundërshtari nuk do të sjellë shumë ndryshime krahasuar me përballjen e disa ditëve më parë në Kupë, megjithëse stafi teknik i Elbasanit është i përgatitur për çdo skenar.

”Trajneri Moriero e di më mirë se si do të luajnë, por mendoj se nuk do të ndryshojnë shumë nga formacioni i ndeshjes së Kupës. Sigurisht, mund të ketë ndryshime, por për ne ka pak rëndësi, sepse jemi gati për çdo detaj dhe çdo lëvizje të kundërshtarit”, vijoi Gvozdenoviç, duke nënvizuar punën e bërë në aspektin taktik.

PRESIONI – Gara për zonat e larta të renditjes sjell natyrshëm edhe presion, sidomos në ndeshjet që luhen në shtëpi. Gvozdenoviç u ndal edhe te ky aspekt, por theksoi se ekipi i tij di ta menaxhojë një situatë të tillë.

”Presioni është gjithmonë prezent, sepse kështu është futbolli. Si Elbasani që lufton për kreun, ashtu edhe ekipet e tjera që ndjekin objektivat e tyre. Ky presion, në fakt, na motivon më shumë për të dhënë maksimumin. Jemi Elbasani dhe jemi gati për këto situata, pa asnjë problem”, theksoi trajneri verdheblu, duke shfaqur besim te grupi.

MERKATO – Ndërkohë, edhe pse ka kaluar gjysma e muajit që prej hapjes së merkatos, te Elbasani ende nuk ka pasur lëvizje konkrete. Drejtuesit po tregohen të kujdesshëm, duke mos nxituar në afrime pa vlerë reale për skuadrën. Megjithatë, kjo situatë nuk e shqetëson trajnerin, i cili zbuloi se klubi është në bisedime me disa lojtarë.

”Jemi të qetë për merkaton. Ende nuk ka lëvizje, por po punojmë në këtë aspekt. E kam thënë edhe pas ndeshjes së Kupës që po kërkojmë një uinger dhe tani mund të them se synojmë edhe një sulmues. Nuk mund të flasim për emra pa pasur diçka zyrtare, por e rëndësishme është që i kemi piketuar lojtarët dhe po punojmë në drejtimin e duhur”, mbylli prononcimin e tij Gvozdenoviç.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL