Saturday , May 3 2025

Gvozdenoviç mbetet në dyshim, gati për lëvizje nga “themeli” te Elbasani

Elbasani është duke vijuar pushimet e përkohshme për t’i rinisur ato sërish përpara se të marrin edhe pushimet e gjata të verës.

Megjithatë, këto ditë dhe kjo periudhë pritet që të jenë shumë intensive, sepse duhet menduar për sezonin e ardhshëm, ku sigurisht synimet do të jenë për të pretenduar sërish një vend në Kupat e Europës. Lëvizja e parë është bërë, ku ashtu siç raportoi “Panorama Sport” një ditë më parë, është larguar nga skuadra portieri Razak Abalora. Mirëpo, ai nuk pritet që të jetë i vetmi, sepse si në çdo sesion merkatoje do të ketë disa hyrje – dalje. Fillimisht do të bëhen daljet dhe më pas hyrjet për të përforcuar ekipin.

TRAJNERI – Çështja e parë që duhet të marrë zgjidhje përfundimtare, është ajo e trajnerit Ivan Gvozdenoviç. Siç dihet, ai ka pasur kontratë deri në muajin qershor dhe në bazë të performancës do të varej edhe e ardhmja e tij. Megjithatë, duke parë që Elbasani pati shansin të hynte në “Final 4” deri javën e fundit, ka rritur ndjeshën kredencialet e serbit, për të vijuar bashkëpunimin me verdheblutë. Mësohet se këto ditë pritet të ketë edhe një takim mes palëve rreth kësaj çështjeje, por gazeta mëson se praktikisht do të jetë një formalitet vazhdimi i tij me Elbasanin, sepse, si klubi, edhe trajneri, duket se janë të kënaqur nga njëri-tjetri.

MERKATO NË DALJE – Për momentin, nuk ka asnjë lojtar tjetër të larguar nga ana e klubit, por ditët në vijim do të jenë vendimtare edhe në këtë aspekt. Gazeta mëson se ata që praktikisht rrezikojnë më shumë të mbyllin bashkëpunimin me skuadrën janë futbollistët që u mbaron kontrata në fund të sezonit dhe sipas burimeve të gazetës në klub, vetëm pak prej tyre do t’i ofrohet rinovim edhe për të paktën një tjetër sezon. Sakaq, lojtarët që nuk kanë pasur shumë minuta në dispozicion, për arsye teknike apo dëmtimi, sërish janë më të rrezikuarit që të mos qëndrojnë më gjatë në klubin verdheblu. Nga ana tjetër, edhe për ata që kanë kontratë përtej këtij sezoni, do të ulen në bisedime për t’i mbyllur para kohe, nëse nuk kanë bindur këtë vit.

MERKATO NË HYRJE – Nëse sa u përket atyre që do të iknin ishte më e thjeshtë, sepse mjafton të shihen minutat e tyre në fushë dhe kontributi i dhënë, më e komplikuar duket situata sa u përket atyre që do të afrohen. Pa u zyrtarizuar Gvozdenoviç ose ai që do ta pasojë, nuk flitet për t’u bërë ndonjë ndërhyrje më afrime. Megjithatë, duket se sërish tregu i huaj do të jenë pistat më të mundshme për të bërë përforcime.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL