Wednesday , April 2 2025

Gvozdenoviç kërkon të shkëputet nga fundi: Fitorja na bën punë

Elbasani është gati për ndeshjen e sotme ndaj Laçit në fushën e këtyre të fundit, me shpresën se do të dalin me një rezultat pozitiv. Për këtë ndeshje pritet që elbasanasit të vuajnë mungesën e kapitenit Bruno Lulaj dhe mesfushorit Abas Ibrahim për arsye dëmtimi, ndërsa pas Hakajt, duket se është gati edhe sulmuesi Lukili, duke qenë një armë plus në këtë takim.

Në daljen e tij para mediave, trajneri Ivan Gvozdenoviç, pohoi se pushimi i gjatë për shkak të ndeshjeve të Kombëtares i ka bërë mirë, duke lënë pas edhe disa probleme me dëmtimet. “Vijmë pas afro dhjetë ditësh pushim, por ne jemi gati për këtë ndeshje. Patëm një problem të vogël me virozat, por tani situata është mirë. Do të kryejmë edhe stërvitjen e fundit për të qenë plotësisht gati për këtë përballje”, u shpreh fillimisht në fjalën e tij kreu i pankinës verdheblu, që pret një rezultat pozitiv sot nga të tijtë.

OBJEKTIVI – Edhe pse në kushtet ku janë një barazim në Laç mund t’i shkonte për shtat, Gvozdenoviç pohon se skuadra do të hyjë në fushë për të marrë maksimumin e mundshëm. “E kam thënë edhe më herët që ne jemi Elbasani dhe gjithnjë mendojmë për pikët e plota në çdo ndeshje. Edhe nesër (sot), do luajmë fort dhe do t’i provojmë të gjitha në fushë për të marrë maksimumin. Por, normalisht do na duhet të presim dhe të flasim më shumë pas ndeshjes rreth asaj që do të rezervojë fusha”, vijoi më tej Ivan Gvozdenoviç. Deri më tani ekipet janë në barazim total në përballjet direkte me nga një fitore secila dhe një ndeshje është mbyllur në barazim.

GOLAT – Elbasani ka shënuar vetëm katër gola në pesë ndeshjet e fundit, duke treguar një ngërç në këtë aspekt. Ajo që e bën më shqetësuese situatën është fakti se të katërt golat kanë ardhur nga një mbrojtës, Emiljano Musta. Megjithatë, Gvozdenoviç ka besim se sulmuesit do e tregojnë veten, për aq kohë sa skuadra po i krijon rastet.

“Është e vërtetë dhe kjo është situata. Pozitive është se ne kemi krijuar shumë raste në çdo ndeshje. Fakti që nuk shënojnë sulmuesit është problem i vogël, por do ta rregullojmë. Kam shumë besim te ta dhe jam i sigurt që do të fillojnë sërish me golat edhe sulmuesit”, mbylli prononcimin e tij për mediat trajneri i skuadrës së Elbasanit.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL