Motoja e Elbasanit këtë sezon është që ta marrin merkaton me qetësi. Ndryshe nga vitet e kaluara ku i duhej të riformatonte skuadrën, sepse ngjiteshin nga një shkallë më lart dhe duheshin marrë sa më shpejt lojtarët, tani është situata ndryshe.gvozdenovicMe grupin të konsoliduar dhe pa nevojën për të bërë revolucionin e përvitshëm, në kampin verdheblu duan që të peshojnë mirë çdo lojtar që do të afrojnë. Burimet pohojnë se momentalisht janë në tryezë shumë emra futbollistësh, nga tregu vendas dhe i huaj, por me asnjërin nuk janë aq pranë sa të flitet për të firmosur. Firmat pritet të hidhen pak ditë para startit të përgatitjeve, që janë programuar të fillojnë në 30 qershor.
MERKATO MIKS – Mund të thuhet se aktualisht në klub ka dy rryma sa u përket përforcimeve në merkato. Besnikët e atyre që ato duhet të vijnë nga kampionati vendas, sepse e njohin mirë kampionatin dhe nuk kanë nevojë që të përshtaten. Është edhe rryma tjetër, që preferojnë më shumë lojtarë nga tregu i huaj, sepse gama e lojtarëve që mund të gjejnë është më e madhe dhe mund të plotësohen nevojat e ekipit në të gjitha repartet që ka nevojë trajneri. Në një situatë të tillë, burimet pranë klubit pohojnë se do të ketë një merkato miks, me vendas dhe të huaj, që pritet të përforcojnë ekipin ndjeshëm. Në fakt, praktikisht po ndiqet e njëjta politikë siç ka ndodhur edhe më herët, ku formacioni i Elbasanit ka qenë i përbërë me një miksim të huajsh dhe vendas.
REPARTET – Gvozdenoviç e ka bërë gati listën për repartet dhe lojtarët që ka nevojë dhe duhen së paku pesë të tillë që të plotësojnë nevojat e klubit. Praktikisht, pritet të largohen pesë dhe të kompensohen po aq, vetëm me kushtin që të afruarit të jenë në gjendje për të bërë diferencën në skuadër. Synimet janë për një portier, mbrojtës krahu, mesfushor fantazist dhe sulmues që të garantojë gola. Mbetet për t’u parë sesa do të jetë në gjendje klubi të plotësojë dëshirat e trajnerit, sepse nuk është asnjëherë e lehtë të gjinden futbollistët që bëjnë diferencën në ekip. Gjithsesi, i sigurt duket fakti se verdheblutë do të hyjnë fuqishëm në merkato, sepse e shohin si mënyrën e vetme për të qenë konkurrues dhe mbi të gjitha të pretendojnë trofe.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL