Gripi ka arritur pikun në qytetin e Elbasanit, duke sjellë një rritje të ndjeshme të rasteve, veçanërisht tek fëmijët. Burime nga shërbimi spitalor bëjnë me dije se situata në repartin e Pediatrisë është rënduar ndjeshëm ditët e fundit, me shtrime që kanë tejkaluar kapacitetet normale.
Sipas mjekëve, virusi ka treguar rezistencë më të lartë, duke shkaktuar komplikacione tek një pjesë e fëmijëve, çka ka bërë të domosdoshëm trajtimin spitalor. Në disa raste, për shkak të fluksit, është dashur që pacientët e vegjël të sistemohen edhe jashtë ambienteve të zakonshme të shërbimit.
Mjekët apelojnë për kujdes të shtuar nga prindërit, duke këshilluar që në rast të temperaturës së lartë, kollës së vazhdueshme apo vështirësive në frymëmarrje, fëmijët të paraqiten menjëherë për kontroll mjekësor. Po ashtu, theksohet rëndësia e shmangies së ambienteve të mbipopulluara dhe ndjekja e trajtimit sipas rekomandimit të mjekut.
Autoritetet shëndetësore bëjnë me dije se situata është nën monitorim të vazhdueshëm, ndërsa pritet që rastet të mbeten të larta edhe në ditët në vijim.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.