Teatri “Skampa” u mbush plot me artdashës të qytetit në mbrëmjen gala të fundvitit “Grand Gala 2025”, një koncert tashmë i kthyer në traditë në jetën kulturore të Elbasanit. Publiku elbasanas, i informuar dhe i interesuar për këtë event, ndoqi me vëmendje dhe emocion një program të përzgjedhur me vepra të njohura të muzikës klasike botërore.
Koncerti u realizua nën drejtimin artistik dhe dirigjimin e Gridi Kraja, ku Orkestra Filarmonike e Elbasanit solli në skenë interpretime të nivelit të lartë profesional, duke konfirmuar rolin e saj të rëndësishëm në promovimin e muzikës serioze në qytet. Një kontribut të veçantë në këtë mbrëmje dha Maestri Zeqir Sulkuqi, prania dhe përvoja artistike e të cilit i shtuan peshë dhe vlera koncertit.
Në këtë event morën pjesë edhe solistët e njohur të skenës muzikore shqiptare Eva Golemi, Kastriot Tusha, Sokol Hidersha dhe Keli Guga, të cilët u pritën me duartrokitje të shumta nga publiku. Mbrëmja u moderua nga Laerti Vasili dhe Atalanta Kërçyku, duke i dhënë koncertit një rrjedhë elegante dhe të natyrshme.
Grand Gala 2025 është një nga aktivitetet e shumta kulturore të organizuara nga Bashkia Elbasan gjatë këtij fundviti, në kuadër të angazhimit të saj për të gjallëruar jetën artistike të qytetit dhe për t’u ofruar qytetarëve evente cilësore që promovojnë artin, kulturën dhe traditat muzikore.
Ky koncert u zhvillua nën kujdesin e veçantë të Kryetarit të Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, duke reflektuar mbështetjen e vazhdueshme institucionale për aktivitetet kulturore në qytet.


ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.