Golashënuesi më i mirë i skuadrës tremb Elbasanin, gati shitja në janar

Merkatoja e janarit po kalon në qetë si për ekipin e Elbasanit, një situatë që nuk është aspak rastësore. Verdheblutë kanë zgjedhur të ndjekin një linjë të matur, duke shmangur ndërhyrjet e shumta dhe duke mos u përfshirë në lëvizje të bujshme, të cilat shpesh sjellin më shumë rrezik sesa përfitim.

Në klub mbizotëron bindja se skuadra aktuale është konkurruese dhe se ndërhyrjet duhet të jenë minimale, por të sakta. Drejtuesit e klubit vlerësojnë se ekipi është i ndërtuar mbi një bërthamë solide dhe se balanca mes reparteve është e kënaqshme. Për këtë arsye, Elbasani nuk ka hapur “fronte” të reja në merkato.

Strategjia është e qartë: asnjë ndërhyrje pa arsye të fortë sportive dhe financiare. Burime pranë klubit theksojnë se drejtuesit janë të hapur vetëm ndaj ndonjë rasti të veçantë, një futbollist që mund të vijë si “okazion” dhe të rrisë cilësinë e skuadrës pa kërkuar investime të mëdha. Klubi nuk ka ndërmend të prishë hierarkitë e krijuara në dhomat e zhveshjes dhe as të cenojë harmoninë e grupit, e cila konsiderohet një nga pikat e forta të këtij sezoni. Për pasojë, afrimet, nëse do të ketë, pritet të jenë të pakta, të menduara dhe pa ndikim destabilizues.

LARGIMET – Edhe në aspektin e largimeve, Elbasani nuk ka ngut. Verdheblutë nuk planifikojnë të “shesin” lojtarë pa arsye, por janë të gatshëm të dëgjojnë oferta serioze për elementë që kanë kërkesa reale në treg. Kushti kryesor mbetet përfitimi financiar dhe ruajtja e interesit të klubit. Aktualisht, emri që qarkullon më shumë është ai i sulmuesit Blaise Tsague. Futbollisti ka qenë një nga lojtarët më produktivë të skuadrës, duke shënuar 7 gola dhe duke mbajtur peshën kryesore të repartit ofensiv. Sipas informacioneve të siguruara nga “Panorama Sport” pranë klubit elbasanas, ka një interesim konkret nga jashtë vendit, edhe pse detajet mbeten ende konfidenciale. Nëse ky transferim do të realizohej, Elbasani do të shënonte shitjen e parë zyrtare dhe përfitimin financiar për herë të larë. Një ”sefte” që do të bëhej ekskluzivisht për arsye ekonomike dhe jo për mungesë besimi te lojtari, pasi ai ka qenë futbollisti kryesor i gjysmës së parë të kampionatit.

SITUATA – Një largim i mundshëm i Tsague do të detyronte automatikisht klubin të rishikonte strategjinë e afrimeve. Humbja e golashënuesit të skuadrës nuk do të ishte e lehtë për t’u mbuluar dhe në këtë rast Elbasani do të ishte i detyruar të hyjë në merkato për një sulmues, qoftë edhe si zgjidhje afatshkurtër deri në fund të sezonit. Megjithatë, edhe në këtë skenar, klubi pritet të mbetet besnik ndaj filozofisë së vet, duke mos ndërmarrë hapa të nxituar apo transferime që mund të rëndojnë financiarisht. Deri në fund të muajit janar, situata mbetet fluide. Elbasani po monitoron zhvillimet, por pa presionin për të vepruar me çdo kusht. Qasja është e qartë: më mirë pak dhe saktë, sesa shumë dhe gabim. Në përfundim, verdheblutë po e shohin këtë merkato si një test maturie dhe planifikimi.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL