Gola dhe shumë kartonë, Elbasani rikthehet te fitorja në një duel të dhunshëm me Bylisin

Elbasani është rikthyer te tre pikët, pas tre ndeshjesh pa fitore radhazi, me verdheblutë që arritën të mposhtnin 2-1 ekipin e Bylisit.

Sfida e luajtur në “Elbasan Arena” ishte tepër e luftuar dhe e dhunshme, me miqtë që ngelën me 10 lojtarë që në minutën e 25’, pas daljes me karton të kuq të Brunos.

Një minutë më vonë, Ibrahim gjeti avantazhin. Në të 38’, ishte sërish mesfushori nga Nigeria i cili tundi rrjetën duke dyfishuar shifrat.

Ballshiotët u zgjuan në pjesën e dytë, me Markun që rihapi takimin në minutën e 51’.

4 minuta nga fundi, heroi i dy golave, Ibrahim u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke lënë dhe verdheblutë me 10 lojtarë.

Kështu Elbasani ngjitet në vendin e dytë me 14 pikë, ndërsa Bylisi vijon të qëndrojë në vendin e 8-të me 6 pikë.