Gjinari, zonë prioritare e “Paketës së Maleve”/ Llatja: Mundësi e re për zhvillimin ekonomik dhe turizëm të qëndrueshëm

Gjinar, një nga perlat natyrore të Bashkisë Elbasan, është përfshirë si zonë prioritare në “Paketën e Maleve” – një nismë kombëtare që synon të nxisë zhvillimin ekonomik dhe turizmin e qëndrueshëm në zonat malore të vendit.

Kjo paketë përfaqëson një instrument të rëndësishëm për zhvillimin e ekonomive lokale, duke sjellë investime konkrete në infrastrukturë, bujqësi, agroturizëm dhe shërbime, si dhe krijimin e vendeve të reja të punës për komunitetet lokale.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, u shpreh se përfshirja e Gjinarit në këtë paketë është një mundësi reale për ta kthyer zonën në një destinacion të rëndësishëm turistik në nivel kombëtar:

“Gjinari ka një potencial të jashtëzakonshëm natyror dhe njerëzor. Me mbështetjen që ofron ‘Paketa e Maleve’, ne do të mund të investojmë më shumë në rrugë, shërbime, bujtina dhe produkte vendase, duke i dhënë zonës zhvillim të qëndrueshëm dhe duke forcuar ekonominë e banorëve. Qëllimi ynë është që çdo vizitor që ngjitet në Gjinar të gjejë një vend të mirorganizuar, mikpritës dhe me standarde bashkëkohore.”

Në kuadër të kësaj nisme, Bashkia Elbasan po përgatit një sërë projektesh që do të mbështeten nga fondet e “Paketës së Maleve”, me fokus në turizmin gjithëvjetor, zhvillimin e rrugëve rurale dhe promovimin e produkteve tradicionale të zonës.

“Gjinari do të vazhdojë të jetë një nga prioritetet tona kryesore për investime dhe zhvillim. Kemi vizionin për ta kthyer në një qendër model të turizmit malor në Shqipëri,” – shtoi më tej Llatja.