Gjinari u shndërrua sot në një destinacion të gjallë turistik, duke mirëpritur qindra turistë vendas dhe të huaj, familje, të rinj dhe vizitorë të shumtë që zbritën në këtë zonë malore për të festuar magjinë e fundvitit dhe për të përjetuar nga afër atmosferën festive të “Gjinar Village Market”.
Eventi, i organizuar nga Bashkia e Elbasanit në kuadër të festave të fundvitit, i dha Gjinarit një tjetër dimension, duke e kthyer në një qendër takimi ku turizmi, tradita, rinia dhe mikpritja u bashkuan në një ditë të paharrueshme.
Që në orët e para të mëngjesit, rrugët drejt Gjinarit u mbushën me vizitorë, ndërsa panairi i fshatit, aktivitetet festive dhe dëbora e parë e sezonit krijuan një atmosferë përrallore dimërore. Muzika, aromat e produkteve tradicionale dhe buzëqeshjet e banorëve e kthyen këtë ditë në një festë të vërtetë për të gjithë.
Një rol kyç në suksesin e aktivitetit pati Këshilli Rinor Elbasan, i cili me energjinë dhe angazhimin e tij u kthye në motorin e gjallërisë së eventit. Të rinjtë kontribuuan në organizimin e panairit, në krijimin e aktiviteteve për fëmijë, në dekorimin e fshatit dhe në promovimin e Gjinarit si një destinacion turistik dhe mikpritës.
Për fëmijët dhe familjet, organizatorët kishin menduar gjithçka. “Tavolina e Workshopeve” u shndërrua në një zonë kreative, ku u krijuan kartolina dëshirash dhe kurora festive. Atmosfera u gjallërua nga animatorët, aktivitetet “Face Painting”, prania e Babagjyshit dhe Elfëve, si dhe performanca emocionuese e Korit të Fëmijëve, zërat e të cilëve sollën gëzimin e festave mes peizazhit dimëror.
Atmosfera festive u pasurua edhe më tej nga muzika live dhe performancat artistike. Kulmi i eventit ishte “Camp Fire Session”, ku rreth zjarrit bubulak vizitorët shijuan muzikë live në një atmosferë të ngrohtë dhe reflektuese. Performancat e artistëve Franceska Kasa dhe Noel Hoxholli krijuan emocione të veçanta, ndërsa e ftuara speciale, këngëtarja e mirënjohur Eneda Tarifa, dhuroi momente të paharrueshme dhe u duartrokit gjatë nga publiku i pranishëm.
Pjesë e rëndësishme e “Gjinar Village Market” ishte edhe panairi i produkteve lokale, ku bizneset dhe prodhuesit vendas ofruan ushqime tradicionale, pije, produkte artizanale dhe shije autentike të zonës. Vizitorët patën mundësinë të njihen nga afër edhe me bujtinat e Gjinarit, të cilat gjatë gjithë ditës mirëpritën turistë vendas dhe të huaj, duke ofruar akomodim, gatime tradicionale dhe mikpritjen karakteristike të zonës.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, u shpreh se aktivitete të tilla janë pjesë e vizionit për zhvillimin e turizmit dhe gjallërimin e zonave rurale.
“Gjinar është një pasuri e jashtëzakonshme natyrore për Bashkinë Elbasan. Sot shohim qartë se investimet në infrastrukturë, mbështetja për bujtinat, bizneset lokale dhe fuqizimi i rinisë po japin rezultate konkrete. Qindra turistë që vizituan sot Gjinarin janë dëshmia më e mirë se turizmi malor është një potencial i madh që ne do të vijojmë ta mbështesim gjatë gjithë vitit,” u shpreh kryebashkiaku Llatja.
“Gjinar Village Market” dëshmoi edhe një herë se kur natyra, komuniteti dhe institucionet bashkëpunojnë, krijohen histori suksesi që i japin jetë territorit dhe e kthejnë Gjinarin në një destinacion gjithnjë e më të kërkuar për turistët vendas dhe të huaj.
Me peizazhin, panairin plot ngjyra, me muzikën dhe energjinë e të rinjve, Gjinar nuk ishte sot thjesht një fshat malor, por zemra turizmit dimëror të Elbasanit.








ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.