Gjesti human i policisë rrugore Elbasan, gjejnë në rrugë duke ecur me stërmundim të moshuarën, e dërgojnë në shtëpi

Nga Fatmir Popja

Një gjest mjaft human i patrullës së policisë rrugore të Elbasanit që ishte me shërbim përgjatë aksit të rrugës kombëtare Elbasan -Peqin është vlerësuar së tepërmi nga dhjetra e qindra qytetarë elbasanas.
Patrulla e shërbimit gjatë monitorimit të qarkullimit të automjeteve përgjatë këtij aksi ka konstatuar pasditen e kësaj mesjave që një e moshuar ecte herë në anë të rrugës kombëtare dhe herë në korsinë e makinave.
E moshuara mbi 80 vjeçe po ecte tejet e stërmunduar dhe dukej në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe po rrezikonte të përfshihej në aksident.Shërbimet e policisë rrugore në fshatin Papër i janë afruar dhe e kanë kontaktuar të moshuarën që ecte në mes të rrugës automobilistike.
Ata i kanë ofruar ndihmë duke e shoqëruar fillimisht në anë të rrugës dhe menjëherë e kanë futur në makinën e shërbimit për tu qetësuar dhe shplodhur pasi nuk ndjehej mirë për shkak të lodhjes së madhe fizike nga udhëtimi i gjatë në këmbë pas kthimit nga një vizitë që i kishte bërë një të afërmi në një fshat të Elbasanit.
Më pas punonjësit e qarkullimit e kanë transportuar me makinën e shërbimit për në banesën e familjes së saj në fshatin Paulesh të bashkisë së Peqin. Këtë aks e moshuara ju kishte deklaruar punonjësve të policisë kishte vendosur ta bënte në këmbë pasi nuk kishte gjetur automjet transporti.
Ajo ka falënderuar punonjësit e policisë për këtë gjest human dhe është shpehur e lumtur që falë tyre u kthye shëndoshë e mirë në banesën e saj në Paulesh .Ajo nuk kishte mundur të komunikojë dot në telefon me familjarët gjatë kësaj kohe pasi telefonin e kishte jashtë shërbimit pasi i kishte mbaruar bateria.
Mungesa e komunikimit mes saj dhe familjarëve i kishte shqetësuar të afërmit e saj të cilët janë surprizuar nga gjesti human i policisë së qarkullimit rrugor të Elbasanit që si gjithmonë ka treguar klas në punën e saj duke ju ardhur në ndihmë të qytetarëve.