Gati parkimi me pagesë në Elbasan. Këto janë sheshet, rrugët, oraret dhe tarifa që do paguhet

Me vendim të Këshillit Bashkiak në Bashkinë e Elbasanit do të fillojë parkimi me pagesë. Gjatë këtyre ditëve punonjësit e bashkisë kanë kryer vijëzimet e rrugëve ku do të kryhet parkimi me pagese dhe aktualisht procesi është drejt përfundimit. 50 lekë të reja për një orë do të jetë tarifa e parkimit. Ndonëse ende nuk ka nisur aplikimi i tarifës, qytetarët kanë nisur të vendosin parketet në vendet e përcaktuara.

Interesant është mendimi qytetar në këtë drejtim. Disa prej tyre shprehen se vendimi i bashkisë është i drejtë. Mjetet duhet të parkohen e të vendoset rregull që të shmanget kaosi në trafik. Ndërkohë me të ardhurat që do mblidhen ata kërkojnë që të shfrytëzohen në dobi të përmirësimit të cilësisë së jetës së tyre.

Për të tjerë parkimi është i shtrenjtë dhe i papërballueshëm dhe tarifa e miratuar e lartë pasi Elbasani është një qytet me probleme të shprehura socialë. Opozita e ka kundërshtuar vendimin e bashkisë.

Sheshet, rrugët, oraret dhe tarifa që do paguhet

Sa më sipër, bulevardi “Aqif Pasha” do të ketë me pagesë anën e majtë nga Stadiumi e deri tek ura e Zaranikës.

Rruga “Qemal Stafa” do të jetë me pagesë do te jetë segmenti nga kryqëzimi i rrugës Qemal Stafa me rrugën Kasem Sejdini deri tek muzeu Etnografikme drejt perëndim nga krahu i djathtë. Dhe nga drejtoria e Tatimeve deri tek rrethrrotullimi i postës në të dy anët.

Rruga “Thoma Kalefi” segmenti nga rrethrrotullimi i bashkisë deri tek unaza në të dy krahët.

Rruga “Janaq Kilica” nga 1 Maji deri tek lulishtja para bashkisë në drejtim të jugut nga krahu i majtë (Para hamamit).

Rruga “Kozma Naska” segmenti parallel me lulishten deri tek Kryqëzimi “Aqif Pasha.

Rruga “28 Nëntori”, segmenti nga kryqëzimi i rrugës Muç Shqiptari, para policisë me rrugën 28 Nëntori deri tek rrotullimi i spitalit në drejtim të veriut, krahu i majtë.

Rruga “25 Nëntori”, rruga e trenit në të dy anët.

Rruga “Rinia”, segmenti nga Universiteti dei tek kryqëzimi me rrugën “Aqif Pasha” në krahun e majtë.

Pra, siç shihet segmentet kanë vetëm njërën anë parkim me pagesë dhe pjesën tjëtër të lirë. Po ashtu, në të gjitha rrugët dhe sheshet parkimi me pagesë do të jetë gjatë ditëve të javës nga ora 08:00-16:00 dhe në fundjavë 08:00-14:00.

Përjashtim bën bulevardi “Aqip Pasha” i cili gjatë javës do të jetë me pagesë në segmentin e përcaktuar nga ora 08:00-20:00 dhe në fundjavë nga ora 08:00-14:00.

Përsa i përket shesheve gjatë javës orari do të jetë 08:00-16:00 dhe në fundjave 08:00-14:00.

Sipas tarifave të miratuara, parkimi do të jetë 50 lekë për një orë, ose tarifim mujor prej 1500 lekësh të reja për rezidentët. Infoelbasani.com