Gara për drejtues të RTSH-së, Këshilli Drejtues skualifikon në mënyrë të paligjshme 8 nga 10 kandidatët. Mevlan Shanaj voton “fshehtas” nga…

Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Shqiptar i mbledhur të hënën në mesditë, ka skualifikuar në mënyrë të paprecedentë tetë kandidatë nga gara për Drejtor të Përgjithshëm të TVSH-së.

Mes të skualifikuarve janë edhe emra si Eni Vasili, një prej gazetareve më të njohura në vend, ndërkohë që janë kualifikuar vetëm dy zyrtarë aktualë të TVSH-së, drejtoresha e komanduar Aurora Polo dhe drejtori i RTSH-së në Shkodër, Jetmir Shpuza.

Së bashku me Eni Vasilin janë skualifikuar edhe kandidatë të tjerë si Laureta Roshi, Kliton Rama, Enrik Mehmeti e Harrilla Koçi.

Në mbledhje, në kundërshtim me ligjin për mediet audiovizive dhe të statutit të Radio Televizionit Shqiptar, anëtarët e Këshillit kryen një votim pa diskutuar kriteret që plotëson ose jo secili kandidat!

Sipas juristëve kjo e minon procesin, pasi votohet kandidati me njohuri të kufizuara, pa vërtetuar CV-në e tij.

Nga ana tjetër votimi konsiderohet i paligjshëm e për rrjedhojë i pavlefshëm sepse Kryetari i Këshillit dhe vetë anetarët kanë lejuar të votojë anëtari i Këshillit Drejtues, Mevlan Shanaj që gjendet në Vietnam, në një kohë që votimi ishte i fshehtë.

Votimi online i këtij anëtari të Këshillit zbuloi dhe sesi votoi ai prej Vietnamit. Lidhur me votimin ka reaguar edhe kryetarja demokrate e Komisionit të Medias, Ina Zhupa, e cila e ka quajtur çmenduri skualifikimin e tetë nga 10 anëtarëve në garë.

“Çmenduria e Këshillit Drejtues së RTSH, skualifikon nga gara kandidatët që plotësojnë kriteret!

Këshilli Drejtues shpik rregulla që nuk ekzistojnë, skualifikon 8 kandidat që plotësojnë çdo kriter ligjor duke shkelur ligjin. Nuk ekziston në ligj votim për tu futur apo jo në votim!!! Thjesht garë dhe votim për të zgjedhur drejtorin mes atyre që plotësojnë kriteret ligjore! Ku e kanë gjetur në ligj metodën e skualifikimit kur plotëson kriteret ligjore? Skualifikimi eshte kur nuk plotëson kriteret, ndryshe je në garë.

Top Channel