Furnizonte Burgun e Elbasanit me drogë, zbardhet masa e Gjykatës për efektivin dhe 2 të tjerët

Gjykata e Elbasanit la në paraburgim 3 të akuzuarit për furnizimin me drogë të të dënuarve dhe të arrestuarve.

Masa “arrest me burg” u dhanë për policin e Burgut të Bradasheshit, Ndriçim Kroj, i cili fuste lëndë narkotike në qelitë e burgut, Esmeralda Komici, familjare e një të paraburgosuri dhe Gerald Stamolla, i paraburgosur në IEVP Elbasan.

Efektivi i policisë së burgut në bashkëpunim me dy personat e tjerë koordinoheshin për të futur droge brenda qelive.

Gjykata ka zbardhur edhe vendimin, duke shpjeguar veprat penale dhe arsyet e vendosjes së masës së sigurisë.

Vendimi i Gjykatës së Elbasanit:

“Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka shqyrtuar çështjen me objekt “Verifikim të kushteve të caktimit të masës së sigurimit dhe marrjes në pyetje të personave nën hetim”, duke vendosur vazhdimin e masës së sigurimit “arrest në burg” për tre persona.

Seanca gjyqësore u zhvillua më datë 24.01.2026, me trup gjykues të kryesuar nga gjyqtarja znj. Suela Lika. Në përfundim të shqyrtimit, gjykata vendosi:

-Vazhdimin e masës së sigurimit “arrest në burg” për shtetasin Ndriçim Kroi, punonjës policie pranë IEVP Bradashesh, Elbasan, masë e caktuar më herët me vendimin nr. 748, datë 19.12.2025.

-Vazhdimin e masës së sigurimit “arrest në burg” edhe për shtetasin Gerald Stamolla, i paraburgosur për veprën penale të dhunës në familje, po ashtu bazuar në vendimin nr. 748, datë 19.12.2025 të Gjykatës së Elbasanit.

-Vazhdimin e masës së sigurimit “arrest në burg” për shtetasen Esmeralda Komici, e afërme e të paraburgosurit Gerald Stamolla, për të cilën masa ishte caktuar me të njëjtin vendim gjyqësor.

Gjykata urdhëroi që personat nën hetim të vijojnë të qëndrojnë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, me qëllim që të jenë në dispozicion të organit procedues.

Po ashtu, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan u ngarkua me ekzekutimin e këtij vendimi, ndërsa shpenzimet procedurale u lanë siç janë bërë. Shpërblimi për avokatin e caktuar kryesisht nga gjykata, R.H., do të parapaguhet nga Zyra e Buxhetit Gjyqësor.

Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, brenda 5 ditëve, duke filluar nga dita pas njoftimit të vendimit të arsyetuar. Vendimi u shpall më 24 janar 2026”./panorama