Fundjavë fantastike e turistëve në Gjinar mes dëborës, diellit dhe aventurës

Qindra turistë nga Elbasani dhe qytete të ndryshme të vendit, mes tyre edhe një grup alpinistësh dhe të apasionuar pas turizmit malor të aventurës, zgjodhën këtë të diel fshatin turistik Gjinar të Elbasanit për të shijuar bukurinë e dëborës dhe natyrën e paprekur që ofron kjo zonë.

Ata u ngjitën deri në majat më të larta, veçanërisht në zonën e Bukanikut, ku trashësia e dëborës shkonte deri në një metër, duke krijuar kushte ideale për ecje malore, eksplorime alpine dhe aktivitete rekreative dimërore.

Pavarësisht temperaturave të ulëta, dielli i shoqëroi gjithë ditën vizitorët, duke e bërë panoramën edhe më fantastike dhe duke ofruar kontrast të mrekullueshëm mes bardhësisë së dëborës dhe qiellit të kthjellët.

Turistët u panë duke vrapuar, duke luajtur e duke u argëtuar në borën e freskët, ndërsa shumë prej tyre shfrytëzuan rastin për të fiksuar momente unike me fotografi dhe video nga maja e Bukanikut.

Alpinistët dhe sportdashësit e aventurës përfituan nga kushtet e favorshme për ngjitje dhe shëtitje në terrene të vështira, duke e kthyer këtë fundjavë në një eksperiencë të veçantë.

Fluksi i lartë i vizitorëve i dha gjallëri edhe bizneseve lokale, bujtinave dhe restoranteve tradicionale, të cilat mirëpritën turistët me gatime tipike dhe mikpritje karakteristike.

Gjinari po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një destinacion të preferuar të turizmit dimëror dhe të aventurës, duke konfirmuar potencialin e madh që ka zona për zhvillimin e turizmit natyror në çdo stinë të vitit.