Thursday , June 12 2025

Funari tërheq vëmendjen, destinacion i rëndësishëm turistik

Funari, 20 kilometra larg qytetit të Elbasanit, është kthyer vitet e fundit në destinacionin e preferuar të turistëve.

Kryeministri Edi Rama ndau mëngjesin e sotëm pamje nga “Funari i Elbasanit, i cili po kthehet çdo ditë e më shumë në një destinacion turistik të preferuar”.

Në Funar, veç bukurive që ofron natyra mund të ushtrohen sportet e aventurës si  parashutizmi, kajake në liqen, hipizëm, çiklizëm malor, ecje dhe ngjitje në shtigjet malore.

Funari është një zonë e pasur me pyje dhe me katër liqene apo rezervuarë, ku dy ndodhen brenda fshatit dhe dy të tjerë të fshehur pas maleve që e rrethojnë atë.

Deri pak kohë më parë, Funari ishte thuajse i harruar për nga vetë infrastruktura e amortizuar, pasi duheshin tri orë për rrugën që sot mund ta përshkosh për 1 orë.

E pasur me pyje pishash dhe dushku, Funari ofron një klimë të shëndetshme që, nëse i shtojmë dhe gatimet tradicionale të zonës, bëhet vendi ideal për të kaluar fundjavën.

Por jo vetëm kaq, kjo zonë mund të jetë një destinacion edhe për të pasionuarit pas peshkimit.