Funari mirëpret të rinjtë, destinacioni i përsosur për një jetë të shëndetshme dhe aktive

Funari, një nga perlat e fshehura të Shqipërisë, po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një destinacion të preferuar për të gjithë ata që kërkojnë të kombinojnë shëndetin me natyrën. Me peizazhet e tij të jashtëzakonshme, liqenet e kristalta dhe shtigjet ideale për hiking, kjo zonë ofron një përvojë të veçantë për ata që duan të largohen nga ritmi i zhurmshëm i jetës së përditshme dhe të përfshihen në aktivitete fizike e mendore relaksuese. Fundjava të kaluara në Funar me muzikë, lundrim, ecje në natyrë dhe ajër të pastër janë receta e përsosur për të fituar energji pozitive dhe për të rigjeneruar shpirtin.

Gjatë këtij fundjave, kreu i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, kaluan një ditë të paharrueshme në Funar, duke përjetuar nga afër bukuritë natyrore dhe qetësinë që kjo zonë ofron. Krahas pjesëmarrjes në aktivitete turistike dhe eksplorimin e peizazheve mahnitëse, ata inspektuan gjithashtu punimet e pastrimit të kanaleve kulluese, ku aktualisht po pastrohet një kanal prej 4.2 km, i cili do të shërbejë për ujitjen e mbi 60 hektarë tokë bujqësore. Ky projekt është thelbësor për zhvillimin e mëtejshëm të bujqësisë dhe blegtorisë në zonë, duke rritur edhe më shumë potencialin e Funarit si një qendër për zhvillimin e qëndrueshëm.

Banorët lokalë, të njohur për mikpritjen e tyre të ngrohtë, ofrojnë produkte bio dhe artizanale, të cilat turistët kanë mundësinë t’i shijojnë gjatë qëndrimit të tyre. Funari, më shumë sesa një destinacion turistik, përfaqëson një mënyrë jetese ku natyra dhe shëndeti janë në harmoni të plotë.