Tuesday , June 24 2025

Frika nga përhapja e murtajës tek bagëtitë, kontrolle në Elbasan

Murtaja që prek bagëtitë e imta po kthehet në shqetësim serioz në mbarë vendin. Vatrat po shtohen në cdo qytet dhe numri i krerëve që po asgjesohen po rritet.

Në qarkun e Elbasanit, shërbimi veterinar është në monitorim të fermave me bagëti të imta. Edhe pse ende nuk ka asnjë rast të konstatuar, vetë shefi i shërbimit veterinat të qarkut ka ngritur alarmin për pasojat e kësaj sëmundje.

“Jemi në një situatë tepër emergjente dhe me rrezik të lartë për shkak të shfaqjes së murtajës së ruminantëve. Për fat të mirë, në Qarkun e Elbasanit nuk kemi ende asnjë vatër të sëmundjes, megjithatë shërbimi veterinar është i angazhuar për të monitoruar situatën në të gjitha fermat. Kjo sëmundje është shumë e rrezikshme, pasi nëse prek një tufë, mund të shkaktojë humbjen deri në 90% të saj, duke lënë bariun me ‘krrabë’ në dorë”, tha Fatmir Ozuni – Shef i Shërbimit Veterinar në Elbasan.

Pas disa rasteve të evidentuara pak ditë më parë, edhe në Devoll dhe Skrapar u zbuluan vatrat e para në 3 ferma. Sipas drejtorisë rajonale, afërsia e Elbasanit me këto territore rrit rrezikun për përhapjen e sëmundjes dhe në këtë qark.

“Në rastin e Devollit, menjëherë pas marrjes së sinjalit, trupat veterinare shkuan në terren, morën analizat dhe sëmundja u konfirmua pozitivisht nga ISUV. Të nesërmen u krye asgjësimi i plotë i tufës përmes djegies. Elbasani është një qark lidhës i rëndësishëm dhe për këtë arsye ka një risk të shtuar. Distanca me zona si Dibra është vetëm 30-40 kilometra. Kjo na detyron të zbatojmë masa të forta parandaluese, duke ndaluar lëvizjen e kafshëve nga ferma në fermë, në tregje, panaire apo pika grumbullimi – përjashtuar kafshët e shëndetshme që dërgohen vetëm në thertore”, shtoi Fatmir Ozuni.

Deri tani, numri i vatrave ku është konstatuar sëmundja e murtajës te bagëtitë ka shkuar në 10, ndërsa fermat e infektuara janë 12. Deri më tani janë asgjësuar rreth 1200 krerë bagëti. Nëse përhapja ndalet përpara muajit shtator, do të jetë një lajm i mirë për blegtorinë shqiptare, këtë gjë e favorizojnë dhe temperatuarat e larta të ajrit, pasi virusi i murtajës nuk mbijeton gjatë në të tilla kushte.

Aktualisht, sëmundja është prezente në këto zona: Shkodër, Dibër, Bulqizë, Tiranë, Korçë, Devoll, Skrapar, Lushnje dhe Gjirokastër.