Forcohet bashkëpunimi ndërinstitucional për kujdesin ndaj pacientëve geriatër në Qarkun Elbasan

Në ambientet e Spitalit Rajonal Elbasan u zhvillua një takim i rëndësishëm pune, i fokusuar në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve vendore dhe atyre shëndetësore, me qëllim përmirësimin e referimit dhe trajtimit të pacientëve geriatër në të gjithë qarkun e Elbasanit.

Në këtë takim morën pjesë Drejtorja e Spitalit Rajonal Elbasan, Prof. Asc. Dr. Zheni Gjergji, Drejtorja e Përgjithshme për Politikat e Kujdesit Social, Arsimit, Rinisë dhe Sportit në Bashkinë Elbasan, znj. Dorina Rroseni, si dhe Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë së Shërbimeve Sociale, znj. Danjela Shuli.

Gjatë diskutimeve u theksua rëndësia e krijimit të një modeli të koordinuar të shërbimeve shëndetësore dhe sociale, i cili synon t’u garantojë qytetarëve të moshës së tretë një kujdes dinjitoz, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm.

Spitali Rajonal Elbasan konfirmon angazhimin e tij për ndërtimin dhe funksionimin e një rrjeti efikas referimi për pacientët geriatër, në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha institucionet përgjegjëse, duke vendosur në qendër mirëqenien dhe nevojat e kësaj kategorie të ndjeshme të shoqërisë.