Saturday , May 10 2025

Florenc Spaho, një zë i fortë për diasporën shqiptare në Evropë

Në prag të zgjedhjeve të 11 majit, deputeti i Qarkut të Elbasanit, Florenc Spaho, po zhvillon një tur intensiv takimesh me bashkatdhetarët shqiptarë në disa qytete të Evropës. Nga Italia në Greqi, ai po përçon mesazhin e rëndësisë së pjesëmarrjes së diasporës në votime dhe mbështetjen për vizionin e Partisë Socialiste për Shqipërinë 2030.

Gjatë fundjavave të fundit, Spaho është takuar me shqiptarë në Bergamo, Asti, Torino, Selanik, Kalkidhiki dhe Pisa, ku ka zhvilluar biseda të hapura mbi sfidat dhe mundësitë që diaspora përballet. Në Bergamo, ai u bashkua me një grup të rinjsh shqiptarë në një ndeshje futbolli, duke treguar një lidhje të ngushtë me komunitetin. Ndërkohë, në qytete të tjera, takimet janë përqendruar në diskutime mbi rolin e rëndësishëm të diasporës në ndërtimin e së ardhmes së Shqipërisë dhe regjistrimin në platformën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Spaho ka theksuar me forcë se vota e diasporës është një mundësi historike dhe një hap i madh për të përfshirë shqiptarët jashtë vendit në vendimmarrjen kombëtare. Ai u ka bërë thirrje të gjithë bashkatdhetarëve që të regjistrohen dhe të votojnë më 11 maj, duke kontribuar në projektin ambicioz për një Shqipëri të zhvilluar dhe europiane.

Angazhimi i tij i pandalshëm tregon se Partia Socialiste mbetet e përkushtuar ndaj bashkësive shqiptare jashtë vendit dhe se diaspora është një forcë e rëndësishme për të ardhmen e vendit. Shqipëria e vitit 2030 po ndërtohet me mbështetjen e çdo shqiptari, kudo që ai ndodhet.