Florenc Spaho dhe Gledian Llatja vizitojnë shkollën shqipe “Margarita Xhepa” në Itali

Deputeti i Elbasanit, Florenc Spaho, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, zhvilluan një vizitë në shkollën shqipe “Margarita Xhepa” në Asti, Itali.

Gjatë takimit me mësuesit, nxënësit dhe prindërit, ata vlerësuan përpjekjet e komunitetit shqiptar për të ruajtur gjuhën dhe kulturën kombëtare jashtë atdheut. Spaho e cilësoi këtë shkollë si një shembull frymëzues të angazhimit të diasporës për edukimin në shqip, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes institucionale për këto iniciativa.

Nga ana e tij, kryebashkiaku Llatja shprehu mirënjohjen për mësuesit dhe prindërit që kontribuojnë në forcimin e identitetit kombëtar të brezave të rinj. Ai theksoi se Elbasani do të mbetet gjithmonë një mbështetje për shqiptarët jashtë vendit.

Kjo vizitë shërbeu si një mundësi e shkëlqyer për të krijuar lidhje të reja dhe për të ndarë përvoja me komunitetin shqiptar në Itali.