Ekipi i basketbollit të Elbasanit dhuroi një paraqitje për t’u duartrokitur, duke mposhtur rivalin direkt Fier Basket me rezultatin 88-77, në një ndeshje të fortë, plot rivalitet dhe emocione deri në fund. Një fitore që vlen më shumë se dy pikë, pasi në njëfarë mënyre vulos edhe qëndrimin e Elbasanit në Superiore.
Takimi nuk nisi aspak lehtë për vendasit. Fierakët hynë më të përqendruar dhe përfituan nga momentet e para, duke ndërtuar një avantazh prej 12 pikësh. Elbasani dukej në vështirësi, por vetëm përkohësisht. Me kalimin e minutave, skuadra gjeti ritmin, shtrëngoi mbrojtjen dhe nisi gradualisht rikuperimin, duke e kthyer ndeshjen në një duel të hapur.
Periudha e dytë dhe sidomos pjesa e dytë e lojës folën qartë për Elbasanin. Me qarkullim më të mirë të topit, intensitet të lartë dhe vendosmëri në çdo aksion, vendasit përmbysën rezultatin dhe morën kontrollin e plotë të ndeshjes. Në momentet vendimtare, Elbasani tregoi pjekuri dhe qetësi, duke e mbyllur takimin me një fitore bindëse 88-77.
Në parket spikati veçanërisht Bruno Skëndaj, i cili ishte protagonisti kryesor në sulm dhe emri më i dalluar në tabelën e pikëve (24), duke udhëhequr skuadrën drejt këtij suksesi të madh.
Kjo fitore ndaj një rivali direkt jo vetëm rrit moralin e skuadrës, por i jep Elbasanit edhe sigurinë e nevojshme për vazhdimësinë në elitën e basketbollit shqiptar. Një mbrëmje që konfirmon karakterin, forcën dhe ambicien e kësaj skuadre.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.