Shkolla 9-vjeçare e Shushicës do të rikonstruktohet plotësisht brenda vitit 2025, duke hapur një kapitull të ri për 314 nxënës dhe 33 mësues që çdo ditë japin më të mirën për edukimin e brezit të ri.
Ky është një investim i shumëpritur dhe i kërkuar prej kohësh nga mësuesit, prindërit dhe i gjithë komuniteti, të cilët në çdo proces të buxhetimit me pjesëmarrje e kanë renditur si prioritet kryesor.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, theksoi se rikonstruksioni i shkollave në zonat rurale mbetet një ndër objektivat më të rëndësishëm të bashkisë:
“Ne kemi vendosur që çdo fëmijë, pavarësisht se ku jeton, të ketë të njëjtat kushte të mira për të mësuar. Shkolla e Shushicës do të rikonstruktohet nga themelet, me ambiente të reja, më të sigurta dhe më bashkëkohore, që i përgjigjen standardeve të arsimit modern.”

Kryetari shtoi se ky investim është pjesë e planit të gjerë për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në të gjithë territorin e bashkisë.
“Në çdo cep të Elbasanit po investojmë për shkolla, rrugë dhe ambiente që i japin cilësi jetës së qytetarëve. Edukimi është baza e çdo zhvillimi, ndaj aty ku ka dije, ka edhe zhvillim,” – u shpreh Llatja.
Shkolla e re e Shushicës do të ketë kushte moderne për nxënësit dhe mësuesit, duke ofruar një hapësirë të denjë për mësim, bashkëpunim dhe frymë të re për komunitetin.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.