Në qytetin e Elbasanit, Partia Republikane mbajti tubimin e parë të fushatës zgjedhore, ku u prezantua zyrtarisht kryetari i kësaj partie për Elbasanin, zoti Ergys Muzhaqi, i cili njëkohësisht mban edhe postin e zëvendëskryetarit të Partisë Republikane.
Muzhaqi, i cili është zgjedhur anëtar i Këshillit Bashkiak nga koalicioni i djathtë, u vlerësua për integritetin e tij dhe për angazhimin e gjatë në shërbim të qytetit.
Në fjalën e tij, kryetari i Partisë Republikane, zoti Fatmir Mediu, theksoi rëndësinë e përfshirjes së politikanëve me eksperiencë në udhëheqjen dhe mbështetjen e brezave të rinj. Ai nënvizoi se ka ardhur koha për të promovuar liderët e rinj dhe për të forcuar politikën me ide të reja, duke krijuar hapësira për të rinjtë që të marrin përgjegjësi më të mëdha për të ardhmen e vendit.
Zoti Ergys Muzhaqi, në fjalën e tij emocionuese, u shpreh se shpesh “e keqja fiton, për shkak se të mirët zgjedhin të heshtin dhe të mos përballen.” Ai bëri thirrje për një përfshirje më të madhe të qytetarëve në politikë, duke theksuar se çdo qytetar ka përgjegjësinë të ngrihet për të mbrojtur vlerat dhe të mirën e përbashkët. Sipas tij, heshtja e të drejtëve krijon hapësirë për përfitimin e elementëve negativë në shoqëri, ndërsa vetëm përballja e hapur dhe e guximshme mund të sjellë ndryshimin që kërkohet.
Gjithashtu, në tubim foli zoti Klajd Bylyku, i cili tha se PR-ja, meqe pretendon se misheron lidhjen me traditen dhe konservatoren, duhet ta kete te domosdoshme moralin dhe vertetesine e aspiratave dhe jo të bëjë vetem fushate per hir te fushates.
Takimi u përshëndet edhe nga zoti Blendi Himçi, kryetari i Partisë Demokratike të Elbasanit, i cili lavdëroi figurën e zotit Muzhaqi, duke e cilësuar atë si një njeri me integritet të lartë dhe një intelektual me peshë në qytetin e Elbasanit. Himçi vlerësoi bashkëpunimin e spektrit të djathtë dhe premtoi mbështetje të plotë për një fushatë të suksesshme.
Fjala e fundit në këtë takim i përkiste zotit Artan Kana, anëtar i Këshillit Bashkiak të Elbasanit, i cili shprehu mbështetje për zotin Muzhaqi dhe premtoi një fushatë ndryshe, qytetare dhe me përfshirje të gjerë të të gjithë aktorëve të djathtë. Ai theksoi rëndësinë e një fushate ku qytetarët të ndihen pjesë e procesit dhe të kenë mundësinë të kontribuojnë për të ardhmen e tyre.
Ky takim shënon fillimin e një fushate të re në Elbasan, me fokus në përfshirjen e qytetarëve dhe promovimin e vlerave të ndershmërisë dhe përkushtimit.