NGA FATMIR POPJA
Për ti promovuar gjithnjë e më shumë bukuritë natyrore të Rrajcës edhe këtë Verë, bashkia e Prrenjasit dhe banorët e kësaj zone u mblodhën Fushë Dardhë në Parkun Kombëtar të Shebenikut ku organizuan festën tradicionale “Jehonë e Daulles ne Ahet e Shebenikut”.
Sikurse është bërë traditë në këtë festë merrnin pjesë qindra banorë jo vetëm nga fshatrat e Bashkisë Prrenjas por edhe banorë e emigrantë të fshatrave përreth që jetojnë e punojnë në Europë e gjetkë.Për disa orë vendas e mysafirë festuan në mjedisin piktorest të natyrës me ahe shekullorë , ku shijuan gatimet tradicionale plot shije.
Gjithashtu pjesmarrësit në Festën “Jehonë e Daulles në Ahet e Shebenikut ” u bënë njësh me artistët e njohur, pjesë e koncertit me këngë e valle popullore të zonës dhe jo vetëm.
Kryetari i bashkisë së Përrenjasit, Nuri Belba përshëndeti të pranishmit dhe u shprehu mirënjohjen e tij banorëve të Rrajcës në emër të qeverisë vendore për përpjekjet e vazhdueshme që ata bëjnë pë ruajtjen dhe trashëgimin e traditave të çmuara të kësaj zone.
Natyrisht tha kryebashkiaku Belba që duhet të bëjmë edhe më shumë për promovimin e bukurive natyrore të Rrajcës sepse kjo zonë ka destinacione të shumta turistike.
Por duhet të tregohemi shumë miqësorë me natyrën dhe duhet ti mbrojmë pasuritë natyrore që kemi ishte thirrje publike drejtuar banorëve të Rrajcës prej kryebashkiakut të Prrenjasit. Ne si qeveri vendore inkurajojmë dhe nxisim familjet e Rrajcës dhe emigrantët e kësaj zone për të investuar në fushën e turizmit malor e cila po kthehet në një industri fitimprurëse. Ndërkohë kryebashkiaku Nuri Belba deklaroi se çdo të riu apo të reje banues në bashkinë e Prrenjasit që dëshiron të investojë në fushën e turizmit malor nga ana e qeverisë vendore do i garantohet një mbështetje fillestare financiare prej të paktëm 5.000 € .
Fshatrat e kësaj bashkie kanë bukuri që i mahnisin të huajt që i vizitojnë ato dhe është momenti që të hapen Gest House sa më shumë.Fshatrat e bashkisë Prrenjas kanë tradita, histori, trashëgimi të shumëllojshme , kulinari e mikpritje që të fal dashuri dhe që të jep energji pozitive.Statistikat e këtij viti tregojnë se në fshatrat e Rrajcës ku ndodhet edhe Pylli i ahut, pjesë e trashëgimisë boterore, e mbrojtur nga UNESCO, pjesë e Parkut Kombëtar Shebenik, po kthehet çdo vit e më tepër në një atraksion turistik. Në Fushë Dardha ku zhvillohet festa tradicionale “Jehonë e Daulles në Ahet e Shebenikut ” mundësohet zhvillimi një turizmi malor mjaft të preferuar për vizitorët e huaj e vendas pasi ka mundësi për peshkim në ujerat malore të kësaj zone por mund të shfrytëzohet edhe për ecjet sportive, kalërim e alpinizmi.
Fushë Dardha e Rrajcës është kthyer vitet e fundit në një nga destinacionet e preferuara për turistët ku gjenden mbi 14 liqene akullnajore të vogla me bukuri natyrore që rrallë mund ti ndeshësh gjëkundi .